Drejtuesja e politike e PS për Qarkun Shkodër Elisa Spiropali zhvilloi takimin e saj të radhës me drejtorët rajonal të PS Shkodër dhe strukturat e kësaj force politike. Më herët Spiropali e cila mban edhe postin e ministres së shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin ishte edhe në një takim me strukturat dhe drejtues të PS në Malësinë e Madhe.
Në takimin e zhvilluar në Shkodër ku Spiropali u njoh me drejtorët rajonal dhe strukturat e PS i kërkoi atyre që të jenë sa më të përgjegjshëm duke qenë se sidomos drejtorët kanë dyfish përgjegjësi për të trajtuar siç duhet qytetarët duke i thënë atyre se nuk janë personalisht në ato pozicione pasi përfaqësojnë PS dhe janë fytyra edhe e qeverisë dhe për këtë arsye askush nuk duhet të gabojë apo aq më tepër të abuzojë.
“Ajo që kërkoj unë nga ana juaj është që gjithsecili të ketë një sjellje sa më dinjitoze me qytetarët. Të gjitha shqetësimet e tyre duhet që të merren parasysh dhe të priten mirë në mënyrë që të marrin shërbimin që kërkojnë gjithmonë duke zbatuar ligjin. Sjellja dhe qasja juaj me qytetarët është shumë e rëndësishme. Duhet ta dini se aty përfaqësoni Partinë Socialiste dhe jeni ftyra e qeverisë ndaj në këtë aspekt keni dyfish përgjegjësi.
Duhet të keni parasysh se shumë qytetarë mund të ndodhen në vështirësi për shkak të problemeve ekonomike, problemeve sociale që kanë që vijnë edhe nga rritja e çmimeve dhe shkaqe të tjera ndaj ju kërkoj që të keni sjelljen e duhur. Askush nuk duhet që të gabojë e aq më tepër që të abuzojë sepse qytetarët dhe gjithë ne bashkë do monitorojmë punën e gjithsecilit. Ka shumë të tjerë të cilët mund të kenë kontribute në parti dhe që janë figura të nderuara dhe që nuk janë në pozicionin që ju keni prandaj duhet ta vlerësoni shumë mundësinë që iu është dhënë”.
Ndërkohë pas takimit me strukturat drejtuesja politike e PS Shkodër publikoi një status në facebook. Duke patur parasysh zgjedhjet vendore që po afrohen, Spiropali u shpreh se PS ka nevojë edhe për thellimin e organizimit teksa shkruan:
“Me strukturat e Partisë Socialiste Shkodër folëm hapur mbi nevojën për thellimin e riorganizimit, bashkimin e të gjitha kontributeve, afrimin e të rinjve, të të paangazhuarve, bashkëpunimin dhe punën me njerëzit. Në atë sallë do doja të shihja edhe shumë aktivistë e drejtues të tjerë që i kam njohur ndër vite, në opozitë e në qeveri. Jam e bindur se me besim dhe përkushtim do t’ia dalim ta kthejmë PS-në në alternativën e progresit dhe të shpresës për Shkodrën”.
Spiropali shkurtimisht foli edhe për takimin e zhvilluar më herët me strukturat e PS në Malësinë e Madhe teksa shkruan:
“Me strukturat e Partisë Socialiste të Malësisë së Madhe. Biseduam për rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të punës, nevojën e harmonizimit të të gjitha energjive të Partisë Socialiste për të garantuar fitoren në zgjedhjet vendore 2023 dhe për të bërë më të mirën për të gjithë zonën”.
Takimet e drejtueses politike të PS për qarkun Shkodër Elisa Spiropali do të vijnë duke u shtuar teksa kërkohet një mobilizim dhe organizim i gjitha strukturave për zgjedhjet vendore të 2023-shit / star plus tv /
Comments are closed.