Boçi denoncon qeverinë: Bashkia e Vaut të Dejës i ka dhënë 51.2 mln lek kompanisë së rrugëve që nuk ka bërë asnjë punë, publikohen pamjet

Kryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka denoncuar një tjetër rast afere korruptive nga qeveria.

Nëpërmjet një deklarate për median, Boçi bën me dije se Bashkia e Vaut të Dejës ka kaluar 51.2 mln lek në llogaritë e kompanisë së rrugëve e cila nuk ka bërë asnjë punë.
Boçi kërkon që SPKA të hetojë rastin.

“Sot nga Foltorja e PD, po paraqesim denoncimin e radhës mbi vjedhjen e radhës, e cila nuk duket të jetë as e para dhe as e fundit. Partia Demokratike ka paraqitur në SPAK kallzimin me nr. Protokolli 79, më datë 24 nëntor 2021. Objekti i kallzimit ka të bëjë me një kontratë të Bashkisë Vau i Dejës për “Rikonstruksionin e rrugës Vilë, Njësia Administrative Temal, për të cilin është shpallur fituese, më 25 mars 2021, operatori me inicialet L.C. 12 ditë më vonë Bashkia ka lidhur kontratën prej 51. 2 milion LEK me këtë firmë.

Referuar dokumentacionit, punimet kane filluar më datë 7 qershor 202l, dhe më datë 9 korrik 2021 është shlyer një pjesë e shumës, prej 34.8 milion LEK. Po sipas këtyre dokumenteve operatori me inicialet L.C për 32 dite punë ka realizuar 68% të punimeve. Gjë e pabesueshme duke marrë parasasysh se afati i realizimit të punimeve, sipas DST, është 187 ditë kalendarike, por edhe terrenin, siç do ta shihni në fotot bashkangjitur.
Më datë 20 gusht 2021 është shlyer edhe situacioni përfundimtar me vlerë 16.3 milion LEK.

Kontratat janë firmosur, paratë janë derdhur në llogaritë e kompanisë me firmën e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, por VINI RE! puna e specifikuar në dokumentacion nuk është bërë! nPër mediat do të shpërndajme fotot dhe të gjithë dokumentacionin përkatës, por më poshtë po bëjmë një përmbledhje blic të fakteve:

1. Investimi eshte realizuar në masën 0%, pra nuk është bërë asnjë punë;

2. Në anën tjetër, shlyerja/likuidimi është bërë në masën 100%;

3. Preventivi dhe projekti fillestar jane ndryshuar totalisht, duke hequr 5 nga 8 zërat e punimeve.

4. Në Akt-Konstatimin e drejtorisë së Anti-korrupsionit rezulton që çmimet në preventiv janë më të larta se ato te Manualit.

5. Objekti nuk është marrë në dorëzim dhe nuk ka pasur komision monitorimi dhe marrje në dorëzim të të objektit të përfunduar. Me sa duket nuk ka Komsion aq të guximshëm sat ë marrë në dorëzim punë të papërfunduara!

6. Punimet referuar process-verbalit të Aktit të Kolaudimit dt 15.09.2021 punimet janë realizuar për 65 ditë, kur në fakt duheshin 187 ditë.

7. Fotot e raportit teknik të tenderuar, dhe ato të bëra më datë 14 nëntor 2021, tregojne një situatë identike të rrugës, si para dhe “PAS” punimeve.

8. Janë falsifikuar të gjitha dokumenet, të cilat pasqyrojnë të dhëna të pavërteta, dhe janë firmosur JO NGA KOMISIONI, por nga KRYETARI BASHKISË, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe duke pasqyruar në to të dhëna të rreme, sikur është bërë punë.

Eshtë pra e qartë se qytetarëve të Vaut të Dejës u janë vjedhur plot 51.2 milion LEK duke falsifikuar dokumentat, duke quajtur të bëra punët e pabëra, dhe duke futur paratë në xhep.

I bëjmë thirrje administratës së Bashkisë së Vaut të Dejës të distancohet nga aktet flagrante të vjedhjes së pasurisë publike dhe të mos bëhet pjesë e proceseve false që, jo vetëm dëmtojnë bashkëqytetarët e tyre, por edhe i ekspozojnë ata vetë para ligjit.

Përsërisim thirrjen për SPAK dhe i kërkojmë shqyrtimin urgjent të dosjeve për të cilat kemi ngritur padi, por ka hetime dhe konstatime edhe nga drejtoria e Anti-korrupsionit në ministrinë e Drejtësisë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!”, tha Boçi./abcnews.al/