Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja, mori pjesë në ceremoninë solemne me ftesë të Kryeprokurorit Federal Belg me rastin e Përvjetorit të 20-të të Prokurorisë Federale të Belgjikës që u mbajt në Bruksel në datën 4 Tetor 2022, në sallën Hemicycle of the Senate.

Në sesion u diskutua përvoja 20-vjeçare e Prokurorisë Federale Belge, e të gjithë ranë dakord që krijimi dhe jetëgjatësia e një strukture prokurorie të specializuar dhe qendrore është e domosdoshme për të patur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit.

SPAK, tha Kraja, është i vendosur që bashkëpunimin që ekziston me Prokurorinë Federale belge ta vazhdojë duke dhënë më shumë rezultate konkrete. Mesazhi duket se ishte i qartë për shqiptarët me precedentë në Belgjikë.

Vendosja e kontakteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet prokurorive të posaçme është e domosdoshme për të arritur suksesin. Gjithashtu, u theksua fakti që lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është një betejë e gjatë dhe e vazhdueshme, që duhet realizuar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet strukturave të zbatimit të ligjit.

Drejtuesi i SPAK zhvilloi takime me personalitetet e ftuar dhe veçanërisht me drejtuesit e prokurorive prezente në takim, në kuadër të vendosjes së kontakteve të reja. SPAK është i vendosur që bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston me Prokurorinë Federale Belge ta vazhdojë duke dhënë më shumë rezultate konkrete.