“Të lindet një njeri”, ishte kjo shfaqja ku teatri “Migjeni” hapi sërish dyert për publikun shkodran. Shfaqja e bazuar në veprën e Migjenit erdhi përmes një kasti aktorësh të rinj në moshë përmes regjizorit shkodran Stefan Çapalikut.

Edhe pse në epokën post moderne, personazhet migjenianë të shfaqjes duket sikur kanë ndalur kohën dhe kjo vjen përmes interpretimeve, muzikës, instalacioneve dhe publikut që bëhet njësh me aktorët. Regjizori Çapaliku thotë se të vësh në skenë Migjenin nuk është një mision i lehtë sepse nuk shkruante për drama por për letërsi dhe se një nga synimet e kësaj shfaqje ishte që poeti i njohur të vinte në shumë aspekte kryesisht atij melankolik dhe dekadent.

Nga ana e tyre, disa prej aktorëve tregojnë rreth karaktereve që patën në këtë shfaqje duke u ndalur tek mesazhi që është aq aktual edhe në shoqërinë e sotme. Përveç Shkodrës, kjo shfaqje është vënë në skenë edhe në Tiranë e Pogradec.