Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi sot draftin për primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie për zgjedhjet lokale që mbahen vitin e ardhshëm.
U vendos, që për primaret do të votojnë jo vetëm anëtarët e Partisë Demokratike, por edhe simpatizantët e saj.
Në fjalën e tij, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi nga anëtarët e Partisë Demokratike që të ndryshohet situata në Parti.
Berisha deklaroi se termi Rithemelim duhet të lexohet dhe kuptohet si një detyrim madhor i çdo demokrati dhe demokrateje. Ai tha se detyra më kryesore e PD është që të fitojnë mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë.
Po ashtu, kreu i PD ishte kritik për punën e bërë deri tani dhe shtoi se situata brenda partisë nuk është e mirë.
Berisha kërkon të miratohet një plan pune si dhe shtoi se krerët e degëve duhet të mbledhin kryesinë.
Kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka ka zbuluar se do të votojnë jo vetëm anëtarët e PD por edhe simpatizantët e PD. Ai shtoi se pas miratimit të rregullores për primare, do të vijojnë bisedimet me aleatët e se vetë kreu i PD-së Berisha do të jetë negociatori kryesor.