Pavarësisht rritjeve në pagë që qeveria u ka bërë herë pas here punonjësve të Policisë së Shtetit, kjo gjë nuk e ka frenuar largimin e tyre nga radhët e uniformave blu. Kreu i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta ngre shqetësimin se sektorët e që hasin më shumë largime janë Patrullat e Përgjithshme dhe FNSH.
“Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë janë prekur më tepër nga largimet. Nga FNSH mund të jenë larguar deri më sot dhe kanë mangët në organikën e tyre 30 deri në 40 %. Nga informacionet që kemi janë mbi 600 punonjës që i mungojnë Policisë së Shtetit sipas organikës që ka sot policia”, thotë Sadedin Fishta.
Ai thotë se pjesa më e madhe e tyre largohen për shkak të kushteve të punës:
“Një pjesë e mirë e tyre largohen për kushte më të mira pune, për të ikur jashtë shtetit. Fatkeqësisht po largohen moshat që janë nga 35 vjeç e poshtë. Nuk është thjesht problemi i largimit, sa është problemi i zëvendësimit. Sot po mbingarkohen me shërbime.”
Fishta foli edhe për rritjen e pagës që qeveria bëri pak ditë më parë për punonjësit e policisë, 15 % për nivelin zbatues dhe 7 % për nivelin drejtues. Sipas përllogaritjes, pagë neto një punonjës policie do të marrë shtesë deri në 5.500 lekë të reja.