Erjon Xhenje ishte vetëm 19 vjeç. Një student i shkëlqyer fizioterapie, jeta e të cilit u ndal mbrëmjen e 18 Shtatorit. Ai po pinte kafe në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” në Shkodër, kur u qëllua për vdekje. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë, sipas policisë është Bajram Çekorja. Motivi? Sipas gazetares Emi Kalaja, e cila citon burime të policisë, dyshohet të jetë hakmarrja. Sipas saj, dyshimet janë se Erjon Xhenje ishte objektivi më i arritshëm për hakmarrjen, që Bajram Çekorja duket se po kërkonte për vrasjen e të atit të tij, Ismet Çekorja.
Një ditë më parë, 24-vjeçari Bajram Çekorja u shpall sërish në kërkim nga policia e Shkodrës, tashmë për vrasjen e të riut 19-vjeçar. Në njoftimin zyrtar, policia tha të enjten se nga provat e grumbulluara ka dyshime se Barjam Çekorja është autori i dyshuar i ngjarjes dhe se motivi dyshohet që të jetë hakmarrja.
Emri i Bajram Çekores u artikulua fillimisht nga policia për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçajt, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 25 Gushtit. Vetëm 2 ditë më pas, policia tha se autor i dyshuar ishte Bajram Çekorja dhe Tornado Fusha, e shkak ishte një konflikt që palët kishin pasur 2 vite më herët.
Më 29 Gusht, Ismet Çekorja, babai i 24-vjeçarit doli në një deklaratë për mediat, duke mohuar që djali i tij të qëndronte pas atentatit e duke i quajtur inskenime.
Por 5 ditë më pas, më datë 2 Shtator, 58-vjeçari u ekzekutua për vdekje nga një person ende i paidentifikuar.
Ndonëse zyrtarisht vrasësi i Ismet Çekores nuk dihet, gazetarja Emi Kalaja thotë se dyshimet janë se të përfshirë në vrasjen e tij janë kushërinjtë e të riut Erjon Xhenje. Ky sipas gazetares dyshohet të jetë dhe motivi përse djali i Ismet Çekores, pikërisht 24-vjeçari Bajram Çekorja të jetë hakmarrë duke i marrë jetën të riut 19-vjeçar.
Më tej, gazetarja thotë se momentalisht nuk është ende e qartë sesi arriti policia e Shkodrës të identifikonte pikërisht 24-vjeçarin Çekorja si autor i vrasjes së 19-vjeçarit, megjithatë, ajo sjell në vëmendje se autoritetet që prej fillimit shpresonin tek gjurmët e gishtërinjve të gjetura në armën e krimit që autorët e braktisën në lagjen Guerrile. Po ashtu, edhe kamerat e sigurisë duket se kanë mundur të ndihmojnë autoritetet për të krijuar një identikit të autorit.
Në vrasjen e Erjon Xhenjes të përfshirë ishin dy persona. Por teksa policia zyrtarisht identifikoi Bajram Çekoren si një prej tyre, identiteti i personit të dytë nuk dihet ende./tvklan.al
Comments are closed.