Largimi i të rinjve është plaga e hapur që po vret shoqërinë shqiptare. Lindja e kësaj “euforie”, apo “trendi” për të prekur ekzilin ka ardhur si pasojë e një dështimi të politikave 31- vjeçare në Shqipëri. Jemi të gjithë koshient dhe e prekim çdo ditë varfërinë, mungesën e një arsimimi konkurues, mungesën e sigurisë e një shëndetësie cilësore, mungesën e një drejtësie të pavarur dhe mbi të gjitha mungesën e theksuar të standartit të jetesës.
Të rinjtë kanë humbur shpresën se Shqipëria një ditë mund të bëhet, kur shohin një klasë hermetike politike që sillet në një rreth vicioz hërë në pozitë e herë në opozitë, janë po ato që trumbetohen herë si e ardhme e herë si e shkuar e që po pensionojë veten e tyre akoma duke drejtuar skenën politike. Shpresa lind kur diçka e re lind, nuk ka të re me fytyra të vjetra.
Si mund të qëndrojë një i ri ambicioz në një vend ku nuk të ofron mundësi punësimi, mundësi karriere që arrihet me ndershmëri, mundësinë e krijimit të një biznesi pa patur miratimin e bandave që kontrollojnë tregun, apo edhe të një jetese që nuk ka në bazë jetën partiake apo korrupsionin? Si mundet një i ri ambicioz të gjejë veten të angazhuar në jetën sociale apo politike në një vend ku nuk ka qarkullim elitash, apo brenda një sistemi hermetik që nuk lë mundësi penetrimi?
Dëgjoj shpesh frazën “Po të rinjtë pse vetëm presin t’i krijohen hapësirat?”, pikërisht këtyre individëve do ju drejtohesha po me pyetje “Pse të rinjtë tanë në vendet e tjera i gjejnë këto hapësira dhe integrohen?” Pse atje nuk është një luks, por një e drejtë?”. Për 31 vite ka individ që vetëm drejtojnë në këtë vend duke bërë makinacione, por që kurrë duke mos patur llogari-dhënie. Ky është modeli që edukojmë brezat.
Sot të rinjtë po zgjedhin të largohen në çdo formë, që nga rruga e ligjshme nëpërmjet shkollimit apo kontratave të punësimit e deri te rruga e trafikut klandestin. Çdo ditë po shohim foto të shqiptarëve që kalojnë kanalin e “La Manshit” duke vendosur në rrezik jetën dhe duke sakrifikuar të gjithë kursimet. Në fillim u largua vetëm “truri”, por tashmë po largohen të gjithë. Dëshira për ta parë veten në një shtet tjetër është e përhapur në çdo familje dhe tek çdo i ri. E gjitha kjo është kthyer në një objektiv për t’u arritur.
E ndërsa e gjitha kjo ndodh e sidomos vitet e fundit në përmasa të jashtëzakonshme institucionet justifikohen, lindin parullat e reja politike, shfrytëzohet nga të gjitha palët, por fundi është përsëri i hidhur, askush nuk merr një nismë për të ndryshuar. Kjo klasë politike është e sprovuar nga vitet që mban mbi kurriz, nga koha 31- vjeçare që ka qeverisur, por që sot ka ardhur koha për lëvizje të plotë elitash. Ky duhet të jetë hapi i parë për të garantuar fillimin e një ndryshimi, pasi që shpresa të ringjallet tashmë duhet një dekadë punë të paktën.
Sistemi ka prodhuar parti politike, që mveshen rreth kryetarokracisë, pa zhvilluar sensin e pluralizmit të mendimit. Diktati i antarësisë nuk vlerëson mendimim, por vlerëson forcën e pushtetit të kryetarit dhe i ngjitet atij. Ky model që vartësi hesht dhe drejtuesi urdhëron katapultohet në çdo sektor duke e thyer ligjin e avancimit në karrierë, e mendimit ndryshe apo edhe të meritokracisë. Jemi një shoqëri që kjo formë po na lë në staniacion, duke na kthyer në disa burokrat të bindur të sistemit dhe duke mos patur në asnjë moment mekanizma balancimi mes të drejtës dhe diktatit të gabuar.
Kjo klasë politike që e ka gatuar vetë këtë sistem ka frikë ta pranojë se ai ka dështuar. Kjo nuk është demokracia e pastër, demokracia që prodhon vazhdimësi, por është thjesht një rreth i mbyllur autokratik, plural në dukje, po hermetik në përbërje. Nga një parti-shtet u bënë disa, por harruan të ndryshonin filozofinë mbi të cilën partitë duhet të ngrihen. Politika dikton mbi habitatin e shoqërisë, prandaj është edhe gjeneza e problemitake në të cilat ne sot ndodhemi.
Shpresa është shuar nga hermetizmi i mendimit që ky popull gatuan mes vetes dhe klasës politike. Ndryshimi do të vijë kur populli të kuptoj që politika nuk luhet mes tifozerish, por mes alternativash e që këto të fundit në kuptimin e plotë të fjalës kanë ardhur duke u shuar në 31 vite, pasi tashmë sistemi vicioz që kanë krijuar është amplifikuar
Comments are closed.