Teksa kanë mbetur edhe pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, Partia Socialiste ka “ndezur motorët”. Edhe në qarkun e Elbasanit, që nga fillimi i shtatorit PS ka mobilizuar strukturat e saj.

Drejtuesi Politik i Grupit Parlamentar të PS Për këtë Qark, Damian Gjiknuri, njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike e ka ngjitur së fundi në nivelet më të larta punën me strukturat pas një periudhe disa mujore qetësie.

Gjatë fundjavës ka zhvilluar takime të shumta në bashkitë e këtij Qarku si dhe mbledhur në Elbasan drejtuesit e PS dhe 7 kryebashkiakët e këtij Qarku ku ka dhënë direktivat në prag të çeljes fushatës së përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie që do konkurojnë në zgjedhjet vendore që janë parashikuar të mbahen në Pranverën e ardhshme.

Gjiknuri ka vlerësuar punën e të gjithë kryebashkiakëve të Qarkut të Elbasanit, por ai ka deklaruar se jo të gjithë ata që janë në detyrë do rikandidojë në këto zgjedhje. I pari ndër shtatë kryebashkiakët aktualë që thuajse e ka të sigurt deri tani rikandidimin është Andis Salla, kryebashkiaku i Cërrikut ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i PS.

Deklarata e Gjiknurit për rikonfirmimin e Andis Sallës si kandidat e PS në zgjedhjet e radhës vjen pasi ai u vlerësua me superlativa pak javë më parë edhe nga Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit vendor. /abcnews.al