Ish-efektivi i policisë Jeton Lami i arrestuar për dhënie ndihme ndaj të shumëkërkuarit Ervis Martinaj ka refuzuar të flasë dy herë. “Ora Neës”, shkruan se Lami, agjenti i skuadrës së kërkimit “FAST” në Policinë e Shtetit, është tentuar të merret dy herë në pyetje mbi atë çfarë ndodhi me Martinajn dhe arsyet e shoqërimit të tij me biznesmenin, gjatë kohës kur ai ishte në kërkim nga prokuroria e posaçme SPAK. Por në të dyja rastet Lami, ka refuzuar të flasi me procesverbal para hetuesve. Tentativa e parë për të marë në pyetje agjentin, është bërë në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithme të Policisë së Shtetit, ku Lami u arrestua. Sipas këtij vendimi gjykate, ka qënë ora 13:04 e datës 23 Gusht, kur Lamit i është komunikuar arrestimi.

Menjëherë pas kësaj procedure, grupi i hetimit që po ndjek rastin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Ervis Martinit, ka kërkuar marjen në pyetje të Lamit, por ai ka refuzuar. Qëndrim refuzues për të dhënë shpjegime, agjenti Lami e ka bërë edhe dy ditë më pas në 25 Gusht 2022, kur ka dalë para gjyqtarit të Laçit, Aurel Arapi. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të arrestimit të Lamit, gjyqtari Arapi ka ftuar të pandehurin të japë shpjegime rreth akuzës “Shpërdorim detyre” që ka ngritur prokuroria kundër tij. Por edhe para gjykatës, Lami ka refuzuar të flasë, duke mos dhënë asnjë detaj dhe arsye, se pse shoqërohej në mënyrë të vazhdueshme me Martinajn dhe cili është fati i këtij të fundit.

“Jeton Lami duke shfrytëzuar funksionin e tij si punonjës i Policisë së Shtetit, ku me veprime aktive dhe mosveprime ka ndihmuar personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ervis Martinaj, për t’ju shmangur organeve të drejtësisë, duke mos ekzekutuar urdhërimet e një vendimi gjykate për arrestimin e tij,”- argumenton gjyqtari Arapi.

Dy avokatët e agjentit, Gentjan Rumano dhe Elton Domi, gjatë seancës, bënë përpjekje për të bindur gjykatësin që të caktonte masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” ose “arrest shtëpie” Avokatët argumentuan se Jeton Lamit i rrezikohet jeta brenda në burg për shkak të profesionit që ai ka mbajtuar para se të arrestohej. Sipas avokatëve Lami nuk ka asnjë rrezik që të arratiset e t’i fshihet drejtësisë, por gjyqtari e la në burg.

Më 20 shtator, Lami pritet të dalë sërish para trupit gjykues. Lami, do të njihet me masën e sigurimit më datë 20 shtator, në orën 09:50 pasi Gjykata e Apelit të Tiranës do të vendosë për fatin e personit që dyshohet se shoqëroi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj në mënyrë që ky i fundit t’i shpëtonte aksioneve të Policisë.

SI U ARRESTUA?

Arrestimi i Lamit është kryer në zyrën e Drejtorit të Operacionales, ku ish-efektivi është thirrur privatisht, me argumentin se duhej të sqaronte një moment pune, por aty është ballafaquar me një video ku shihej me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.

Që nga maji i këtij viti, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi e inskenim.