Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se ku do të shkojnë të gjithë të ardhurat që do të fitohen nëse në Shqipëri rihapen sërish bastet sportive.

Gjatë dëgjesës publike, Rama theksoi se të gjitha paratë do të investohen në sport dhe kulturë.

“Ne sot kemi lënë një pjesë të licencuar për lojërat e fatit. Sot që po flasim kemi lejuar kazinotë që të operojnë vetëm në hotele me 5 yje pasi kemi nevojë për të promovuar turizmin e nivelit të lartë. Ne nuk stimulojmë të pasurit por ekonominë, në hotelin me 5 yje vijnë turistë të nivelit të lartë të cilët bëjnë shumë shpenzime. Një turist që vjen në hotel me 5 yje ai blen dhe lëviz në qytet. Ai është një lloj konsumatori që shpenzon në Shqipëri, aty kemi sasi të ardhurash që janë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Nëse ne do të bëjmë do ta sanksionojmë dhe do të bëjmë të pamundur që këto të ardhura që llogariten të jenë shumë fish më shumë sesa ato që ne japim për sportin. Këto para do të shkojnë për sportin kulturën dhe rininë. Pjesën e “luanit” do ta marrë lëvizja sportive futbollistike dhe lëvizja olimpike në tërësi. Këto para në buxhet të shtetit zëre sikur nuk do t’i kemi, pasi të gjithë të ardhurat që do të fitohen nga bastet do të shkojnë për sportin”, tha Rama.