Fotografia e vjetër
Nji mbasdite n’fundjavë, isha i ftuem në shpinë e bijës së familjes Pici, fotografëve të famshëm të Shkodrës. Ishte nji nga ato të djelat që duket sikur, tuj ndej rreth tavolinës e tuj pi nji gotë vênë, janë ba enkas për me tregue historina të kahershme.Baba i t’zojës së shpisë, e vjehrri i mikut tem t’fminisë, nji burrë trupvogël e fjalëpak, filloi të m’tregonte nji ndodhi krejt t’veçantë. E pra nuk asht e lehtë me e ba me folë. Gjatë gjithë drekës nuk i kishte folë dy fjalë rresht, por ama historinë me sa dukej e kishte fort për zemër e donte me ma tregue edhe mue. E unë po due me nda edhe me ju.
Nji ditë prej ditësh, shumë vite ma parë, tek dera e laboratorit të fotografit çfaqet silueta e nji malcori shtat’naltë, me qeleshe, tirqe, brez e xhamadan si t’ishte i dalun prej universit homerian të legjendeva të Mujit e Halilit. Tuj e pa tek dera këtë burrë t’ndrojtun e fisnik njiheresh, fotografi i drejtohet me dashamirësi
Urdhno, çka urdhnon, zotnia juej?” I befasuem e i mrekulluem prej mirësjelljes e mikpritjes, edhe pse kohët nuk ishin fort të përshtatshme për kësi fjalësh e sjelljesh (ndoshta malsorit nuk i kishte qëllue me i ndigjue ndonjiherë këto fjalë), pra tuj u ndi i begenisun, malsori afrohet me hapat e tij të m’dhej përkah banaku e mbasi përshndet me ndrojtje nxjerr prej xhepit nji shami e prej aty shpalos nji fotografi t’nji burri kreshnik, fort të pashëm e me mustakë. Burri në foto dhe malcori përngjitshin fort me njeni tjetrin:- Asht baba i jem.- tha malcori – A thu kishe me mujtë me ma rregullue njikyt fotografi, sadopak? Veç saj nuk kam tjetër kujtim prej tij.
Mjeshtri ia hedh sytë fotos dhe vëren se ajo ishte e damtueme në disa vende, bilé shume e damtueme. Por fotoja ishte shumë e bukur gjithsesi. Ndoshta atë foto e kishte shkrepë, la e shtampue baba i tij, Shan Pici, ndoshta e kishte ba Marubi e kujtimet e mbulojnë .
I bjen ndër mend baba që i kishte dhanë dashninë për fotografinë e i kishte përcjellë mjeshtrinë e tij. Aq u përhumb fotografi saqë malsori po ndihej ngusht teksa prit’te me ankth përgjigjen e mjeshtrit.Ishte nji fotografi e vjetër e plasat në të ishin mjaft të thella… megjithatë i përgjigjet :- Ka shumë damtime, more lum miku, po gjithsesi po shof çka mund t’baj me té. Po ti, kur t’bish herën tjetër në Shkodër e po t’ra rruga, kalo këndej pari e më pyet se a kam mujt me ba gjâ.Me këto fjalë malsori u largue tuj lanë mbrapa në laborator këtë objekt të çmueshëm. Ishte pjesë e shtrenjtë e tija ajo foto, ishte vetë i ati. Edhe pse fotografin as e njifte as se dinte, ai prap se prapë i përftonte besim. Mir’sjellja e zotnilleku shkodran i patën ngrohë zemrën.Ditët kaluen e fotografi morri n’dorë foton që ia kishin lanë amanet.
Asokohe nuk kishte kopjutera e programe kompjuterike, si sot, që e modofikojnë e përpunojnë foton si të duesh. Fotot riparoheshin tuj e fotografue përsëri foton e damtueme, e madjen, këto duarartë artista punonin me negativin tuj e riparue e ripërtëri atë. Imagjinoni çfarë pune e hollë, mjeshtore e e mrekullueshme njiheresh.Gjatë iu desh fotografit me punue, shumë gjatë. Përmbi foto kishte bilé edhe ndonjë njollë boje. Shumë herë iu desh ta përsërit’te punën mbasi nuk ishte krejt i kënaqun me té. Por gjithsesi ky njeri i kishte dhanë shumë besim, i kishte besue kujtimin e vetëm të babës s’tij.
Nuk mund ta zhgënjente. Shumë herë dyshoi se puna nuk do t’i dilte e bukur siç do t’donte.Ma në fund për malsorin dita e shumëpritun me ra në Shkodër erdhi. Ai nuk vinte ma me ble krypë a misër si në novelat migjeniane, por gjithsesi ramja e hymja në Shkodër, në kryeqendrën e zonës, kishte diçka si të magjishme e solemne njikohësissht. Mandej, ai kishte lanë atje babën e kjo e bante edhe ma të randësishëm atë udhëtim.
A thu fotografi ia kishte ruejt mirë at’objekt të çmuem? Mjaftonte edhe sikur t’ia kishte ruejt mirë e me kujdes, ishte boll. A thu ia kishte kapë n’dorë? Këto ishin pyetjet që malcori i bante vetes teksa i afrohej repartit t’fotografëve.Kur brenda dyqanit pa fotografin disi u qetsue. I jepte besim ai burrë i sjellshëm, imcak e fjalëpak.
Mbasi u përshëndetën malsori nuk po kishte kurrajon me e pyet mjeshtrin, por menjiherë ai ia hoqi këtë siklet e me shumë modesti i drejtohet tuj i thanë Jam mundue me ba çka kam ditë e çka kam mujtë.Kur malsori i hodhi sytë punës së fotografit, fotografia ishte e tjetërsueme, plot dritë e baba i tij çfaqej fort i hijshëm në atë foto plot jetë. I shpëtuen lotë e filloi të dëneste. Fotografi shtangu se nuk e priti këtë reagim. Nji malsor kreshnik që shkrehet ne vaj prej nji fotografie. U përlot edhe vetë fotografi.
Mbasi burri e morri pak veten e teksa prap po i rridhshin lotë iu drejtue mjeshtrit Pashë besen m’fal se u çburrnova. Po ti ma paske njallë babën, more burrë!Aty fotografi nuk u mbajt ma e filloj të dëneste edhe ai. Vlerësimi i punës, përshtypja që i bani kjo malsorit, por edhe kujtimet e përlotën. E prap ju kujtue baba i tij.Ai kishte ba nji nga ato punët që nuk kanë të paguem.
Teksa po tregonte historinë mjeshtrit i dilnin lotë. U përlota edhe unë, me thanë të drejtën. E pra as se kisha përjetue atë ngjarje, as se njihja malsorin.Nji herë tjetër fotografi ma tregoi përsëri ndodhinë. E ndigjova me po aq andje sa herën e parë. Prap fotografi u përlot e edhe unë bashkë me të. E bija me tha Përlotet sa herë e tregon, e unë e kam ndigjue shumë e shumë herë historinë – e sytë i kishte të përlotun edhe ajo vetë.
Këtë histori e kam fort për zemër e mjeshtri prej gojës së të cilin e ndigjova, asht Pjerin Pici, pinjollë i familjes së fotografëve të përmendun Pici që krahas Marubëve, Jakovajve etj. kanë themelue e kanë lanë gjurmë në fotografinë shqiptare. Ata janë pjesë elitare kulturore e artistike e asaj plejade artistash e mjeshtrash kalibri, të asaj ikone që quhet Shkodër.
Lexuesi të mos ma marrë për dobësi e as por lokalizëm por deshta me theksue se fotografia në Shkodër asht zhvillue në t’njejten kohë si në të tanë Europen.. Asht interesant fakti që Pjetër Marubi, babai i fotografisë shqiptare, kishte korrespondencë të rregullt me vllaznit Lumiere, atje në Parisin e largët.Kjo asht Shkodra e qytetnueme.
Comments are closed.