Zjarret vazhdojnë të përpijnë qindra hektarë pyje në Shqipëri, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe tokat bujqësore. Rritja e temperaturave në muajin gusht po shoqërohet edhe me shtimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe ato me shkurre të Shqipërisë.
Njëzet e tetë vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave 20 janë shuar, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.
Pjesa më e madhe e zjarreve në sipërfaqet pyjore shkaktohen nga temperaturat e larta, por, sipas autoriteteve vendore, një pjesë prej tyre edhe nga pakujdesia e banorëve, si dhe zjarrvëniet e qëllimshme.
Kreu i Emergjencave Civile në Shqipëri, Haki Çako, deklaroi për Radio Evropa e Lirë më 9 gusht se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë fikur mbi 30 zjarre. Për fikjen dhe lokalizimin e zjarreve u angazhuan mbi 1.000 efektivë, tha ai teksa bëri sërish thirrje për koordinim dhe njoftim më të shpejtë nga ana e autoriteteve lokale për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Ishin 24 orë shumë intensive në luftën ndaj zjarreve në Shqipëri për shkak edhe të temperaturave të pazakonta në vend. Kemi patur 34 vatra zjarri në mbarë vendin, të cilat po monitorohen me prezencën e të gjitha strukturave të Mbrojtjes Civile. Kanë marrë pjesë mbi njëmijë forca, janë angazhuar struktura nga ato vendoret, si Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor dhe forca vullnetare, të mbështetura nga forcat e armatosura të specializuara për luftën ndaj zjarreve, të mbështetura edhe nga helikopteri i tipit ‘Cougar’”, tha Çako më 9 gusht.
Ai shtoi se ka ende vatra aktive në fshatin Shetaj, në rrethin e Durrësit, në atë të Gramshit dhe në zonën e Kurbinit.
“Në fshatin Prongji, në bashkinë e Gjirokastrës, është riaktivizuar vatra e zjarrit e cila u fik ditën e djeshme. Kemi forca të shumta të angazhuara në monitorimin e këtyre zonave. Natyrisht që kapacitetet nuk janë maksimale, nuk janë ato të niveleve që të përballojnë zjarre masive në kulmin e verës, por duhet mbi të gjitha koordinimi dhe paralajmërimi i hershëm. Kjo pasi sa më shpejt të reagojmë, aq më shumë rezultat do të kemi në parandalimin e përhapjes së zjarreve”, tha ai.
Shqipëria pa mjetet e duhura për t’iu përgjigjur emergjencave civile
Një javë më parë, më 1 gusht, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një takim me drejtues të pushtetit vendor, ku kërkoi gatishmërinë e tyre në terren për menaxhimin e situatës me zjarret.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Rama kishte deklaruar se “fatkeqësia natyrore na zuri të papërgatitur” dhe u zotua se do të ketë investime për Emergjencat Civile.
Por, më shumë se dy vjet më vonë, ky shërbim i rëndësishëm punon me një numër të kufizuar zjarrfikësish për numër banorësh dhe me mjete të amortizuara dhe të vjetërsuara.
Ky fakt pohohet edhe në raportin diagnostikues të Bankës Botërore (BB) mbi “Vlerësimin e përgatitjes dhe të përgjigjes ndaj emergjencave” të publikuar në maj të këtij viti, ku analizohet situata në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri.
Sipas këtij raporti, Shqipëria është e papërgatitur për t’iu përgjigjur emergjencave civile të tilla si “tërmete, zjarre në pyje dhe rrëshqitje toke.”
“Sistemit të përgatitjes dhe përgjigjes ndaj emergjencave civile i mungon baza operacionale për të pasur efektivitet dhe përgjigje ndërinstitucionale ndaj fatkeqësive natyrore në shkallë të gjerë”, vë në dukje Banka Botërore në raportin e saj diagnostikues për Shqipërinë.
Zjarrfikësit në Shqipëri me paga të ulëta
Për kryetarin e Sindikatës së Zjarrfikësve në Shqipëri, Bledar Bajramaj, është absurde gjendja në të cilën ndodhen zjarrfikësit. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ai deklaroi se përveç mungesës së kushteve dhe pajisjeve për punë, zjarrfikësit shqiptarë i kanë edhe pagat të ulëta.
Paga bazë e një punonjësi zjarrfikës në Shqipëri është 36 mijë lekë (298 euro), ndërkohë sipas të dhënave në Kosovë një zjarrfikës i nivelit bazë paguhet 399 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 416 euro.
“Mjafton të krahasosh pagat e zjarrfikësve në Shqipëri me ato të rajonit. Në vendet e rajonit marrin 200 euro më shumë. I kemi bërë kërkesë Ministrisë së Brendshme, e cila u miratua nga komisioni dhe u dorëzua draft-VKM-ja (Vendimi i Këshillit të Ministrave), por nuk u mor më asnjë me të. Ministria e Brendshme, e cila është përgjegjëse për zjarrfikësit, e ka miratuar rritjen e pagës, por Qeveria nuk e rrit”, tha Bajramaj.
Bajramaj shtoi se në disa rrethe, kushtet e zjarrfikësve janë “skandaloze, si kushte pune dhe kushte qëndrimi”.
“Mjafton të marrim në konsideratë faktin që akoma në rrethe ka mjete zjarrfikëse të para 40 apo 50 vjetëve. Në shumë bashki të vendit, në raste aksidentesh që duhet t’u vijnë në ndihmë qytetarëve, nuk i kanë pajisjet”, shtoi ai.
Dy zjarrfikës në Shqipëri shihen me lopata në duar në përpjekje për të shuar zjarret.
Radio Evropa e Lirë pyeti Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) për investimet e kryera në dy vitet e fundit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Shqipëria pjesë e mekanizmit të BE-së të mbrojtjes civile
Më 13 qershor të këtij viti Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në mekanizmin e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Civile.
I themeluar në vitin 2001, kjo strukturë përbëhet nga 33 vende, 27 shtete anëtare të BE-së dhe gjashtë vende si Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Islanda dhe Mali i Zi.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.
Themelues i agjencisë është Komisioni Evropian, i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave duke kontribuar me mbi 75 për qind të kostove të transportit. Në të gjithë historikun prej dy dekadash, mekanizmi është përdorur për përballimin e më shumë se 540 emergjencave civile, kryesisht zjarre e përmbytje, por edhe tërmete.
Me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, Shqipëria është vendi i fundit që ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në mekanizmin e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Civile.
Vetëm gjatë muajit korrik, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së është aktivizuar katër herë, për luftimin e zjarreve në Shqipëri dhe ka ndihmuar në dërgimin e avionëve zjarrfikës nga Greqia në Shqipëri.
Disa nga këta aeroplanë janë pjesë e flotës së përbashkët të zjarrfikësve të BE-së të quajtur “rescEU”.
Comments are closed.