Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut vijon monitorimin e tregut për garantimin e të drejtave të konsumatorëve.

Pas kontrolleve të ushtruara kryesisht në zinxhirët e marketeve, në qytetet kryesore të vendit si dhe përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra në Sarandë, trupat inspektuese gjetën 5 subjekte në shkelje të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”, atij “Për metrologjinë”, si dhe të detyrimeve në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.367/2022 “Për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse dhe qeseve oxo-degradueshme dhe oxo-bio të degradueshme”.

ISHMT vendosi 3 masa administrative për mospërputhje të sasisë në etiketën e produktit, me sasinë e përshkruar në etiketën e ekspozuar të produktit në raft.

Ndaj secilit subjekt u vendos masë administrative prej 200 000 (dyqind mijë) lekë.

Po ashtu, u vendos masë administrative ndaj një subjekti, pasi pas inspektimit ju gjet në përdorim instrument matës i paverifikuar.

Ndaj këtij subjekti u vendos masë administrative prej 20 000 (njëzet mijë) lekë.

Trupat inspektuse të ISHMT-së vendosën masë administrative prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh ndaj një tjetër subjekti që ju gjetën në përdorim qese plastike mbajtëse me trashësi më të hollë se 70 mikron.

ISHMT u bën thirrje operatorëve ekonomikë të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe ai “Për metrologjinë”.

Në bazë të këtyre ligjeve, subjektet prodhuese dhe ato tregtuese duhet të afishojnë në mënyrë të dukshme dhe të saktë çmimin për njësi ose sasinë e dhënë të tij që është çmimi përfundimtar, përfshirë të gjitha taksat dhe TVSH-në. Po ashtu ato nuk mund të përdorin instrument matës të paverifikuar.

ISHMT ka në fokus të punës së saj ndërgjegjësimin e subjekteve dhe informimin e tyre për zbatimin me korrektësi të ligjit, ndërsa rikujton detyrimet që rrjedhin prej tij, në mbrojtje të konsumatorëve dhe të konkurrencës së ndershme.