Është shkarkuar nga detyra gjyqtari i Shkodrës Albano Çepele. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi mungesë burimesh për blerjen e një apartamenti, dyshime për veprime korruptive dhe probleme me profesionalizmin

Problem edhe gjendja shëndetësore pasi gjyqtari Çepele vuan nga një sëmundje që i vështirëson aktivitetin fizik.

Albano Çepele e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 në Gjykatën e Tropojës dhe ka punuar më së shumti si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në prill të vitit 2014 Çepele u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas një inspektimi që zbuloi shkelje të ligjit dhe 34 çështje gjyqësore të zvarritura. Çepele u rikthye në detyrë në vitin 2016 pasi një vendim i Gjykatës së Lartë e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij.

Gjyqtari Albano Çepele shfaqte vështirësi në ecje dhe u paraqit në seancë së bashku me një përfaqësues ligjor. Ai bëri me dije se vuante nga skleroza multiple. Çepele pohoi në fillim të seancës se ishte në dijeni të gjetjeve të KPK-së, pasi ishte njohur nëpërmjet pyetësorëve.

Relatorja Bungo tha se subjekti nuk ka qenë plotësisht bashkëpunues, pasi ka refezuar të japë deklarime për çështje të caktuara, duke përmendur mungesën e sqarimeve për vlerën e mobilimit të shtëpisë. Sipas relatores, nuk ishte pasqyruar burimi i krijimit për një apartament me sipërfaqe 86.8 m2 blerë në vitin 2006 në Tiranë në shumën e 30 mijë eurove.

Komisioni konstaton mungesë dokumentacioni ligjor për të justifikuar burimin e vlerës 30 mijë euro të dhënë hua nga motra e subjektit për blerjen e apartamentit. Gjithashtu u evidentua se Çepele kishte kryer deklarime kontradiktore lidhur me çmimin e ulët të apartamentit.

Bungo tha se subjekti nuk ka deklaruar pronësinë e një apartamenti në qytetin e Fierit, të përfituar nga privatizimi dhe se nuk ka provuar burimin e ligjshëm të vlerës 9300 eurove të dhëna nga motra për kurimin e nënës së tyre. Sipas relatores, nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vitin 2005, për të cilën subjekti nuk ka dhënë shpjegim pas kalimit të barrës së provës.

Përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Çepele tha në seancë se klienti i tij nuk mund të gjendej fajtor për mosdeklarimin apo mungesën e dokumentacionit për apartamentin në Fier, për të cilën tha se i ati i gjyqtarit e kishte shitur në vitin 1996.

“Babai e ka shitur nën presionin e dhunës në vitin 1996 dhe nuk ka asnjë dokumentacion që e disponon. Noterja nuk ndodhet në Fier, ndërsa personi që e ka blerë nuk ekziston dhe në atë apartament jetojnë disa persona që nuk kanë as kontratë qiraje dhe asgjë” tha avokati i Çepeles, duke e përjashtuar klientin e tij nga veprimet me këtë pasuri.

Për apartamentin në Tiranë, avokati mbrojtës pohoi se Çepele kishte depozituar kontratën e huamarrjes me motrën për të vërtetuar burimin e ligjshëm, që sipas tij e kishte pasqyruar në deklaratën vjetore dhe në atë veting, në rubrikën e interesave private