Sot nisin masat e reja kufizuese, ngrihen në këmbë forcat blu: Në çdo aks rrugor do shtohen patrullat e policisë

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për masat e reja kufizuese që hyjnë në fuqi ditën e sotme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Duke nisur nga ora 22:00 do të ngrihen pika kontrolli në të gjithë akset rrugore ku do të ketë prezencë të shtuar të Patrullave të Policisë Kriminale në të gjithë territorin e vendit

Policia e Shtetit ka bërë thirrje që të gjithë të respektojnë masat, në të kundërt, do të ndëshkohet me masë administrative cdo person që ka si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID

Njoftimi i plotë

Në zbatim të dy urdhrave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shtimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID19 Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese.

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, në vijim të angazhimit maksimal të treguar gjatë gjithë periudhës së pandemisë, do të ushtrojnë kontrolle të rrepta në bare, restorante, lokale nate dhe ambienteve të ndryshme, do të ngrihen pika kontrolli pas orës 22:00 në të gjitha akset rrugore, si dhe do të ketë prezencë të shtuar të Patrullave të Përgjithshme dhe të Policisë Kriminale, në të gjithë territorin e vendit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, pronarët e lokaleve dhe drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet masat si më poshtë:

Duke filluar nga dita e sotme, ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00;

Përjashtohen rastet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme duhet të pajisen me autorizim në portalin e-Albania;

Personeli i shëndetësisë dhe punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve përkatëse;

Mbyllen nga ora 22:00 deri në orën 06:00, baret, restorantet, fast food-et dhe lokalet që ofrojnë shërbim për klientët.

Përjashtohet nga rregulli shërbimi në banesë (delivery) i cili duhet të kryhet duke respektuar rregullat higjienike të miratuara. Policia e Shtetit do të ndëshkojë me masë administrative cilindo që do të konstatohet në shkelje të masave kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID19

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave të saj funksionale, për parandalimin dhe goditjen e krimit, sigurimin e rendit dhe qetësisë dhe ofrimin e shërbimit për qytetarët.

Në këtë kuadër, Policia fton qytetarët që në rast se konstatojnë raste të paligjshmërisë mund të denoncojnë në 112 ose në Komisariatin Dixhital.