Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë vendosur 701 gjoba për qytetarët që janë evidentuar se lëviznin pa maskë në rrugë. Ndërkohë që 9 prej tyre që refuzuan që të japin kartën e identitetit për të plotësuar formularin për gjobën janë shoqëruar në komisariat deri në marrjen e të dhënave më pas janë lënë të lirë. Nga vendimi e kanë pësuar edhe pasagjerët të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private ku po udhëtonin dhe ishin pa maska mbrojtëse.

“Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID19 mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 701 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.