Me maskë të veçantë me lule dhe pa çadër në shi.

Kështu u shfaq kryeministri Edi Rama sot në kantierin e lagjes së re në Fushë Krujë, ku pas përfundimit të infrastrukturës, ka nisur puna për ndërtimin e banesave individuale për familjet e mbetura pa shtëpi pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Rama u tregua i prerë duke thënë se pavarësisht kushteve të vështira të motit puna nuk duhet të ndalet.

“E dimë që tani në këto kushte vështirësohet puna për shkak të motit por kjo është sakrifica që duhet bërë dhe do ta bëjmë sepse nuk duhet të vonohemi më tutje për asnjë shkak që të jemi të sigurt” tha Rama.

Nga ana tjetër kryeministri u ndal te vendosja e maskës e cila duke nisur nga data 15 do të jetë me detyrim për të gjithë në çdo ambient përveç shtëpisë. Teksa iu drejtua njërit punonjës që po e shoqëronte Rama i kërkoi të vendosë maskën teksa po bënin inspektimet, duke i kujtuar se është me detyrim.

“Të lutem maskën, është me detyrim. Maska me detyrim kudo vetëm në shtëpi jo” tha Rama.