Kreu i Demokristianëve Nard Ndoka në një intervistë për Fax News ka folur lidhur me zgjedhjet e ardhshme që janë dekretuar të mbahen në datën 25 Prill, që sipas tij do të shënojnë rotacionin me votë të qeverisjes së Edi Ramës.

Ndoka u shpreh se hapja e listave është një produkt pozitiv, ndërkohë që la të paqartë nëse kryetarët e partive të vogla do të dalin të vetëm në garë, apo do të bëhen pjesë e listave të PD-së.

“Kodi që kemi sot është produkt i Edi Ramës, dhe sot ky personazh kërkon që të ndryshojë produktin e vet. Duhet të kemi një kod zgjedhor për të cilin bjenë dakord të dy palët, unë shpresoj që zoti Rama ti rikthehet logjikës politike dhe të ketë një frymë konsensuale për produktin që ka dalë në Këshillin Politik.

Hapja e listave është një hap pozitiv, por mënyra sesi ato do të hapen mund të vendosen me konsensus, listat e hapura janë pozitive për partitë e vogla, dhe do të godasin dy partitë më të mëdhaja në vend.

Opozita e bashkuar i ka të gjitha skemat e duhura, padyshim që ne jemi për koalicionin klasik, por duhet të jemi gati për çdo lloj marrie që mund të kemi përballë, pasi nuk jemi në kushte normale, padiskutim që ne po e ndjekim me shumë vëmendje sesi do të jetë varianti final për koalicionet.

Edi Rama qendron me paterica në pushtet pasi është në një krizë të thellë morale dhe ekonomike, si një politikan i përgjegjshëm do të largohet me votë, njësoj siç ka bërë më parë edhe Sali Berisha apo Fatos Nano”, u shpreh Ndoka.

Sa i takon partive të reja që po krijohen brenda opozitës parlamentare, Ndoka tha se ky është një zhvillim pozitiv, dhe se ai ka qenë gjithnjë pro pluralizmit politik. Ndoka nuk la pa komentuar as deklaratat e Topallit kundër Bashës, kur tha se ish-kryeparlamentarja flet njësoj si të ishte në një helikopter

Topalli e shikon nga helikopteri situatën politike, nuk e pengon njeri që të shkojë te Hajdari apo Murrizi dhe ti bashkohet një formacioni politik. Nuk flitet sot për një politikane karriere, që ka pasur përgjegjësi të mëdha, dhe që ishte kryetare Kuvendi, nuk kemi një personazh që ka kërkuar standarde.

Ka qenë një benjamine e ish kryeministrit Berisha dhe është rritur gjithnjë politikisht nën hijen e tij. Do ta këshilloja zonjën Topalli që të aktivizohet në politikë, nuk mund të gjuajmë me shigjeta këdo që nuk na pëlqen, por të përballet me qytetarët, dhe të mos fshihet duke bërë lojërfa fjalësh. Mund të jetë aktive dhe në vetë PD, mund të ndikojë që vendimarrja të jetë edhe në favorin e saj. Të japë kontributin e saj në demokratizimin e PD”, tha më tej Ndoka.