Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot datën e zgjedhjeve Parlamentare të 2021. Në dekretin e tij u vendos data 25 prill, si dita kur shqiptarët do të duhet ti drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e qeverisë së re që do drejtojë vendin për 4 vjeçarin e ardhshëm.

Këtë vendim, Kreu i Shtetit e ndërmori pas konsultimeve me krerët e partive politike të zhvilluara më 4 shtator në Presidencë. Për opozitën data 18 prill ishte data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Sakaq maxhoraca ishte e gatshme të shkonte në zgjedhje në çdo datë që do të përcaktojë Presidenti i Republikës, me përjashtim të 2 majit e cila përkon me festën e Pashkëve ortodokse. Me sa duket, Kreu i Shtetit me vendosjen e 25 Prillit, ka gjetur një të “mesme të artë” që i kënaq të gjithë.