Para pak ditësh Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) publikoi një draft udhëzues me direktiva mbi skenarët e nisjes së vitit të ri akademik 2020 – 2021.

Me virusin ende në qarkullim dhe nën kushtet e një realiteti te ri, shkollave u duhet të hartojnë grafiqet e tyre duke ndarë nxënësit në grupe deri me 17 veta në klasë, në mënyrë që të ruhen distancat e sigurisë.

Megjithëse stafet e shkollave publike në Tiranë shprehen se janë gati, ata nuk mund të thonë asgjë konkrete deri në momentin kur ky plan udhëzimesh do të vihet në veprim.

Pas mbylljes së shkollave në muajin mars si pjesë e masave të distancimit social që kishin qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, procesi mësimor u zhvendos online dhe u zhvillua me anë të platformave të ndryshme virtuale, por një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhe studentëve nuk patën akses në to, ndërsa një pjesë e pedagogëve nuk pati përgatitjen e duhur për përdorimin e teknologjive përkatëse.

Udhëzuesi i publikuar nga Ministria e Arsimit parashikon tre skenarë kryesorë të zhvillimit të procesit mësimor. Sipas skenarit të parë mësimi do të zhvillohet në mjediset fizike të shkollës duke ruajtur distancën fizike nëse situata e pandemisë është e qëndrueshme; skenari i dytë parashikon një mësim të kombinuar në klasa dhe në distancë nga shtëpia; ndërsa skenari i tretë parashikon vetëm mësimin nga shtëpia nëse situata përkeqësohet ndjeshëm.

E pyetur se në çfarë baze do të ndahen fëmijët nëpër oraret e turneve përkatëse, stafi drejtues i shkollës 9-vjeçare Emin Duraku tha se do të ndiqet rendi alfabetik që përkon dhe në regjistër.

Ndërkohë ndryshim i orareve të mësimit pritet të sjellë andralla për disa prindër, të cilët për arsye të ndryshme mund ta kenë të pamundur ti çojnë fëmijët në shkollë në orët e vona.

“Nuk kemi komunikuar akoma me prindërit për ndarjen e fëmijëve sipas orareve. Nuk kemi në dorë diçka në lidhje me këtë, nëse dikujt do i duket orari i papërshtatshëm, pasi e tillë është edhe situata”, tha Besa Tarka.

“Pas 1 shtatorit do ua komunikojmë dhe prindërve skemat e ndarjeve së fëmijëve nëpër klasa” shtoi ajo.

Udhëzuesi vë theksin mbi inkurajimin e bashkëpunimit midis shkollave dhe prindërve të nxënësve.

“Inkurajimi i shkollave që të bashkëpunojnë me prindërit dhe me komunitetin për të zhvilluar dhe për të zbatuar strategji në përputhje me nevojat e tyre specifike. Suksesi do të arrihet vetëm falë përpjekjes kolektive të të gjithë aktorëve” thuhet në draftin e publikuar nga MASR.

“Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi, është shtesë me afërsi 7 orë mësimi në javë, të cilat mund të paguhen si orë suplementare ose orët mësimore shtesë mund të realizohen me mësues shtesë” citohet në draft udhëzim.

Tarka së bashku me nëndrejtoreshën e shkollës, pohuan se lëndët kryesore do të bëhen në klasa dhe vetëm disa lëndë do të bëhen online, në mënyrë që të lehtësohet sadopak ngarkesa.

Përsa i përket stafit mësimor dhe përballimit të kësaj situate, drejtoresha Tarka tha se shkolla “Emin Duraku” ka mjaftueshëm personel.

“Ne kemi staf, por ka pasur dhe shkolla që kanë punësuar staf te ri” tha Tarka. “Ndoshta edhe stafi ynë do të ngarkohet pak, por sigurisht për këtë do të shpërblehen” përfundoi ajo / Reporter.al