Historia shqiptare, arti, kultura, traditat, të çojnë në Shkodër si një nga pikat kyçe, të zhvillimit të kombit Shqiptar. I gjendur në veriperëndim të vendit, e i themeluar rreth shekullit të V –IV, para lindjes së Krishtit, ky qytet ka kaq shumë për të rrëfyer për kë do të zbulojë një copëz magjike Shqipërie. Me natyrën zemërgjerë që e ka përkëdhelur Shkodrën në çdo cep të saj, qyteti të fton ta eksplorosh për të shijuar pasuritë e shumta arkeologjike, ato ujore, por edhe agroturizmin që vendasit po e zhvillojnë me sqimë. Përmes një guide treditore të organizuar nga GO2, ne udhëtuam drejt Shkodrës, për të zbuluar copëza të këtij oazi mijëravjeçar që nga shumëkush mbetet ende i pashkelur.
Nisemi nga Tirana. Pas dy orësh udhëtim, dhjetë km pa hyrë në Shkodër, ndalesa e parë është në një sit arkeologjik që ngrihet në një kodër, në vendbanimin antik të Bushatit. Monument kulture i vlerësuar për potencialin e madh arkeologjik dhe jetën qytetare në Shkodër, vendbanimi i zbuluar para dy vjetësh nga ekspedita shqiptaro-polake i përket shekujve III-I e.s dhe muri i fortifikimeve është tre metra e gjysëm i gjerë. Arkeologu Helidon Sokoli, arkitektja Eltjana Shkreli dhe gazetari Irhan Jubica do të jenë udhërrëfyesit tanë.
Jemi në zonën e Bushtatit. Banorët e njohin me toponimin që del edhe në hartat e mesjetës shek. XVII-XVIII, si Buzgjarbër. Nga vitet ‘80 pas punimeve të agrikulturës dhe aktiviteteve bujqësore të zonës ka gjetje arkeologjike, që kanë dalë në sipërfaqe nga këto punime. Arkeologu Bep Jubani në vitet ‘80 ka gërmuar katër varre në këtë territor, edhe më pas në vitin 1989, nga Instituti Arkeologjik ka dalë në dritë një strukturë e njohur si Fontana e Bushatit. Vendbanimi zë fil që nga shekulli VII-VI para Krishtit. Është një qytet që ka jetëgjatësi të paktën VIII shekuj. Të dhënat janë premtuese për këtë qytet që njihet shumë pak nga aspekti i tij urban”
Pas kësaj guide, do të hymë në qytet, në një nga atraksionet më të rëndësishme të viteve të fundit, në pedonalen e shtruar me gurë dekorativë. Edhe pse nuk i kalon 800 metra kjo rrugë e projektuar nga arkitekti edhe piktori Kol Idromeno, edhe e ndërtuar në shekullin XX është më e populluara nga turistë vendas edhe të huaj.
Në pjesën lindore të Shkodrës, në afërsi të fshatit Kosan, në rrethin e Malësisë së Madhe ndodhet monumenti natyror, Syri i Sheganit, që dita-ditës po kthehet në një atraksion turistik. Në orët e pasdites, ne takojmë fëmijët edhe të rriturit që lahen.
Çdo ditë, ata takohen së bashku në të njëjtin vend, aty ku edhe për herë të parë kanë mësuar notin.
“Uji është shumë i pastër, ne lahemi thuajse çdo ditë. Shumica afër vijnë çdo ditë, por ka edhe njërëz që vijnë vetëm të dielave”, shprehet një nga banorët e vegjël të kësaj zone.
Panorama magjepsëse edhe mundësitë e peshkimit që krijohet përreth këtij burimi natyror, ka bërë që ende të ketë banorë besnikë, të cilët mendojnë se e ardhmja e të rinjve, që sot janë larguar do të ishte më e mirë në vendin e tyre sesa jashtë shtetit.
“Unë jam në pension me gruan. Shumica kanë ikur të gjithë, sepse edhe këtu nuk është fort keq. Ka shumë pak banorë, dikur ka pas shumë. Enver Hoxha i mbajti këtu, demokracia i ka çuar të gjithë jashtë, në Angli, Amerikë edhe Gjermani.
Disa jetojnë më bagëti, bujqësi. Kanë mbet pak, unë mbaj mend me babën tim në një shtëpi, sot kanë mbet pak. Zakonisht këtu njerëzit vijnë verës për t’u larë, liqeni i Shkodrës, është i madh, i dyti në Ballkan edhe ka gjithfarë peshku”, shprehet Zef Gjok Gashi.
Eltjana Shkreli na rrëfen arsyet, se përse ka zgjedh që pjesë të kësaj guide, të ketë edhe Syrin e Sheganit, një vend, ku ende mungon infrastruktura rrugore, por ku ruhen me fanatizëm pasuritë ujore dhe ka marrë jetë agroturizmi.
“Shkodra është shumë e pasur në sipërfaqe ujore, edhe një pjesë shumë të madhe zë edhe Liqeni i saj. Kjo është një nga pjesët më atraktive në zonën e Liqenit të Shkodrës , sepse përbën një prej burimeve ujore të saj. Është në pjesën veriore të liqenit, pranë Hanit të Hotit, pikë kufitare. Unë kam ardhur para një viti e gjysëm, ne prej pesë vitesh organizojmë një konferencë për turizmin, edhe çdo vit e kalojmë në një bashki”, thotë Eltjana Shkreli.
Prej dhjetë vitesh ka marrë ka marrë jetë Ferma e Bimëve Aromatike Mjekësore. Sherebela dhe livanda e Veriut të Shqipërisë kanë bërë që një nga familjet shkodrane të mos e ndalin prodhimin e saj. Përpos vajrave, siç është ai livandës, punishtja artizanale prodhon sapunë dhe kremra me esenca të bimëve aromatike mjekësore që kultivohen në zonë
Dita e dytë
Ndalesa në Koman e Sardë do ta bënin këtë udhëtim më mbresëlënës. Arkeologu Helidon Sokoli do ta bënte edhe më të thjeshtë infrastrukturën e lënë pas dore, përmes informacioneve që do të na shoqëronte gjatë gjithë rrugës. Pas mbërritjes me makinë në Koman, sfida më e madhe për këdo nga ne ishte ngjitja në këmbë deri në vendbanimin e mesjetës së hershme. Njohja me monumentin e kulturës dhe kulturën arbërore kërkonte sakrifica për vizitorët që çdo ditë edhe më pak i kanë pjesë të jetës së tyre ngjitjet malore. Megjithatë, Helidoni na këshillon që gjatë kësaj guide të jemi të kujdesshëm për shkak të terrenit të vështirë që do të ngjisnim
Pas një ore në këmbë, me ndalesa të shkurtra-tek tuk, dukej sikur i vetmi që nuk i bënte përshtypje terreni malor 560 metra i lartë ishte arkeologu, që gjatë punës me ekspeditat francezo-shqiptare në kalanë e Dalmacisë kishte prek nga afër të shkuarën tonë, e ndriçuar fillimisht në vitin 1898 nga Aleksandër Degrand një shekull më pas edhe nga arkeologët shqiptarë
Lodhja, por edhe etja, do të shuhej vetëm nga një krua, ku dhe do të freskoheshim për të vazhduar sërisht për në destinacion.
Gëzimi për mbërritjen në kishat e më pas në Vendbanimin e Mesjetës së Hershme të Komanit do të reflektohej veçanërisht tek portreti i Helidonit, i cili nuk reshte së shpjeguari për këdo nga ne, rëndësinë e madhe që ka ky vend, për kujdesin që duhet treguar ndaj saj, edhe punës së bërë nga ekspeditat e fundit.
“Pasi bëmë ngjitjen nga qendra e fshatit Koman jemi në pjesën qendrore të vendbanimit të Komanit. Në një lartësi rreth 560 m mbi nivelin e detit, në atë që ne e njohim si Kisha Peshkopale, një nga objektet religjioze më të rëndësishme dhe më të mëdha, të zbuluara nga misioni shqiptaro-francez, që drejtohet nga arkeologia Etleva Nallbani. Mmisioni është fokusuar në Koman në vitin 2010. Vit pas viti ky vendbanim po merr formën e plotë për mënyrën se si është ndërtuar edhe strukturuar në mesjetën e hershme” rrëfen arkeologu.
Pas rëndësisë së kishave, mënyrës se si kanë funksionuar, mbishkrimeve apo dekoracionave të ndryshme, që vihen re përmes gjurmëve që kanë mbetur, arkeologu ndalet tek aktivitet agrare që kryenin banorët e zonës përreth
Mbërritja tek Nekorpoli, nga mban edhe emrin kulturës së Komanit do ta bënte edhe më të rëndësishëm këtë ngjitje që ne bëmë përreth 2 orë në këmbë. Arkeologu kujdeset që të rrëfej gjurmët e para, që kanë dalë nga gërmimet e para të bëra nga konsulli Francez nga Degrand, janë pasuar nga të tjera që arkeologët Skënder Anamali edhe Hana Spahiu kanë bërë në vitet 80 ku janë zbuluar rreth 1000 varre.
“Këtu jemi tek Nekropoli i Komanit, që i ka dhënë emrin kulturës së Komanit. Në fillim është gërmuar nga Aleksandër Degrand, e më pas nga Skënder Anamali edhe Hana Spahia në vitet ‘80, së fundmi nga masoni shqiptaro-francez. Këtu është pjesa që po gërmohet katër vitet e fundit nga misioni francez. Veçori është pasuria e madhe, inventari që nxjerrin këto varre”
Por, vet Sokoli për ta bërë edhe më të qartë, se çfarë synojnë këto gërmime na tregon gjithë çka ka gjetur brenda në një nga varret, e gërmuar para dy vitesh nga ai vet
Turi në ngjitje do të përfundonte në kishën e Shën Gjergjit.
Tashmë të gjithë ia morën dorën, zbritja do të qe me e lehtë, vëmendja po zhvendosej tek udhëtimi në ujë. Përgatitjet do të vazhdonin, kësaj here do të përshkonim me vark Liqenin e Vau Dejësit, Ishullin e Shurdhahut apo qytën antik të Sardës.
Atraksionet arkeologjike dhe natyrore nuk do të mungojnë as gjatë këtij udhëtimi me vark. Shpella e Pëllumbave nën malin e Cukalit, do ta bënte edhe më piktoresk peizazhin përgjatë liqenit artificial të Vau Dejësit.
Qytetin Mesjetar të Sardës, monument kulture dhe prej vitesh i braktisur, ndodhet mbi ishullin e Shurd’hahut. Qyteti me pamje përrallore, rreth 290 m mbi nivelin e detit, daton rreth shek VI-VII. E megjithatë, qyteti antik dhe rrënojat e kishave nuk mirëmbahen më nga institucionet përkatëse, tabelat orientuese lënë për të dëshiruar. Udhëtimi me varkë do të përfundojë në fshatin Rragam.
Dita e tretë
Adrenalina në ditën e fundit të kësaj guide do të ishte edhe më e madhe. Në mëngjes herët, u nisëm nga Beltoja me kanoe për të përshkruar Liqenin e Shkodrës dhe Lumjetë Drin e Bunë. Pasioni për sportet ujore, do ta bënte edhe më të mbresëlënës këtë udhëtim në të cilin do të na shoqëronte vet Drini, duke na rrëfyer interesin e turistëve për sportet ujore.
Monumenti i kulturës, Kisha e Shirqit e ndërtuar nga Mbretëresha Helenë, u ngrit mbi një bazilikë të shekullit VI. Rrënojat e saj gjenden në bregun e Lumit Buna. E teksa vizitës sonë treditore di ti vinte fundi, do të shijonim koncertin më të bukur nga një orkestër që përbëhej nga instrumentistë
Ferma ekosociale, na presin me muzikën e orkestrës së përbërë nga instrumentistë me aftësi ndryshe. Një kompleks bujqësor, blegtoral, gastronomik dhe akomodues, ku punojnë grupe vulnerabël e ku biznesi nuk është qëllim për të fituar, por mjet për përfshirjen sociale.
Ëmbëlsira për në fund. Me fantazinë e shefit Alfred Marku, nxënës të shkollës së mesme dhe amvisat e bujtinave të Shkodrës përgatisin gatime moderne me përbërës tërësisht lokalë.
Comments are closed.