Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka rezultuar pozitiv me Covid 19 pas testimeve që i janë kryer.

Veliaj, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, shkruan se gjendja e tij dhe e familjes është e mirë, ndërsa shton se për disa ditë do ti duhet që të punojë nga shtëpia, për të mos rrezikuar shëndetin e personave të tjerë.

Veliaj bëhet kështu zyrtari i parë i lartë që preket nga Covid 19 në vendin tonë, ndërsa apelon të gjithë qytetarët që të mbajnë maska, dhe të jenë të kujdesshëm me rregullat e higjenës.

Postimi i Veliajt Miq, pas testit më njofuan se dola pozitiv nga covid 19. Jam në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu si edhe familja ime. Por, nga sot do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Tiranën nga shtëpia.

Askush prej nesh nuk është imun ndaj këtij virusi, ndaj JU LUTEM JU LUTEM mos harroni të lani duart sa më shpesh dhe mbani maskë për të mbrojtur sa më shumë veten dhe familjarët tuaj

Lus më të mirën për familjet tuaja Shëndet e dashuri të gjithëve dhe mirënjohje e thellë mjekëve heronj Do shihemi sërish

Situata me Covid 19 prej ditësh është e rëndë në vendin tonë, ndërkohë që numri i të prekurve ditorë po qendron më shumë se 100 persona, ndërsa po shënohen dhe dhjetra jetë të humbura në dy spitalet Covid 1 dhe Covid 2 Vetëm dje u shënuan 6 víktima dhe 117 raste të reja, duke e çuar në total numrin e jetëve të humbura që prej fillimit të pandemisë në 144