Nga 1 maji në 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 54% me bazë vjetore. Sipërmarrësit shprehen se mungesa e tregut dhe klientelës po i detyrojnë të mbyllin aktivitetin. Më të prekur nga kriza janë bizneset e pakonsoliduara, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë. Në rrugën “Myslim Shyri” për shkak të krizës nga COVID19 kanë falimentuar dyqanet e tregtimit të veshjeve të markave të njohura, që ushtronin aktivitet prej 20 vitesh.
Të vegjlit do e kenë më të vështirë të përballojnë krizën e konsumit, që vetëm sa u thellua nga pandemia
Dy dyqanet e veshjeve në rrugën “Myslym Shyri” dhe në QTU, u mbyllën për shkak të krizës nga COVID19 ndërsa 13 punonjës dolën të papunë. Mungesa e blerësve dhe rënia e shitjeve të veshjeve detyruan administratoren e kompanisë të kalojë në pasiv aktivitetin e shitjes së veshjeve.
“Mbyllja e dyqaneve erdhi drejtpërdrejt për shkak të krizës nga COVID19 Furnizimi me mallrat e sezonit të pranverës, që u ble në muajin shkurt, mbeti stok për shkak të karantinës dhe nuk arritëm ti shisnim. Nga shteti nuk patëm asnjë ndihmë, qiratë dhe detyrimet i kemi paguar të gjitha” tha Nereida Prezja.
Nga vëzhgimi i “Monitor” në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku ndodhen një numër i madh biznesesh, aktualisht shumë dyqane janë të mbyllura, sidomos ato të tregtimit të parfumeve, veshjeve, luleve natyrale, materialeve të ndërtimit dhe Fast-Food. Në vend sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve në total janë 3,568 biznese me pakicë të veshjeve dhe 582 biznese të tregtimit me pakicë të këpucëve dhe artikujve prej lëkure. Ato zënë rreth 4% në totalin e ndërmarrjeve.
Agimi, pronar i një ambienti tregtar, i cili prej vitesh e jep me qira në rrugën “Myslym Shyri” thotë se për shkak të mungesës së punës, dyqani është lënë nga qiramarrësit që tregtonin prej 20 vitesh veshje grash. Interesimi për ta marrë sërish ambientin me qira nga të tjerë është i ulët
Biznesi i vogël po arrin të mbijetojë me vështirësi në përiudhën pas karantinës, pasi siç thonë vetë sipërmarrësit, po vuajnë mungesën e tregut dhe të blerjeve. Roza nga Durrësi, në janar të këtij viti, mori një ambient me qira në rrugën “Myslym Shyri” për shitjen e luleve natyrale. Gjatë karantinës nuk shiti online, pasi për shkak të kufizimeve e kishte të pamundur lëvizjen. Por në gati 3 muaj pezullim aktiviteti, dëmet ishin të konsiderueshme, pohon ajo, pasi të gjithë lulet që kishte marrë ishin dëmtuar.
Roza shprehet për “Monitor” se me hapjen e dyqanit nga 27 prilli, xhiro ka rënë, pasi individët kanë tkurrur shpenzimet për lule. “Pas hapjes së dyqanit nga fundi i muajit prill po punoj vetëm për shlyerjen e qirasë, 750 euro në muaj, dhe për detyrimet. Nëse më përpara një qytetar shpenzonte 3 mijë lekë për një buqetë lule për funeral, sot nuk shpenzon më shumë se 1,500 lekë. Gjithashtu, gjatë stinës së verës, dyqanet e luleve nuk kanë shumë punë, pasi shumë njerëz zgjedhin që ditëlindjet ti bëjnë në Jug të Shqipërisë, por në periudhë normaliteti rënia e shitjeve kompensohet me shitjet e luleve për dasma
Puna për shitjet e luleve të dasmave niste që të enjten e deri të dielën. Ndalimi i tyre na ka penalizuar” Zonja Roza thotë se do të presë se çfarë do të ndodhë deri në shtator dhe më pas do të vendosë nëse do të vijojë apo jo aktivitetin
Comments are closed.