Një deklaratë e aktorit Robert Ndrenika e botua në media gjatë kësaj jave tregoi sesi të ftuarit për të dhënë mendim ndikojnë në vendimmarrje. Tema është e njohur tashmë. Gjithë debati është shfokusuar nga akti barbar i shembjes së godinës tek ndërtimi i të riut.”Më i bukur, më i madh më i mirë”, thotë qeveria, e sinkron me të janë edhe trupa e aktorëve që zgjodhën të pranonin vendimin e kushtëzuar të qeverisë “Një sy për një sy, një dhëmb për një dhëmb. “, (shemb të vjetrin e ndërto të vjetrin). E si për të mos mjaftuar është edhe aktori Robert Ndrenika, që rrëfen me sinqeritet sesi do të ndërtohet godina e re. “Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri.”,-thotë Ndrenika. Cili projekt? Ka një projekt të ri për të cilin nuk është vënë askush në dijeni përveç katërshes Basha, Culi, Bejleri e Ndrenika?

Cila procedurë u ndoq për t’i prezantuar projektin për teatrin e ri kombëtar, Robert Ndrenikës, dhe emrave të tjerë, duke hequr dorë nga konsultimi me të tjera grupe interesi? E siç e ka shprehur edhe vetë më herët, aktorit të madh nuk i intereson shkelja e ligjit, por ndërtimi i godinës. Në rrëfimin e tij, Ndrenika nuk shfaq shqetësimin që projekti po realizohet pa asnjë procedurë, në një takim privat mes disa emrave të përveçëm për një vepër kombëtare e cila është pasuri e të gjithë shqiptarëve.

Po ashtu më tej, thotë me dashje ose pa deshje tezën që në territorin e teatrit nuk do të ketë kulla. Por Ndrenika nuk përjashton dot me këtë deklarim që kullat që do të bëhen prapa teatrit, si pjesë e projektit të vjetër, e konfirmuar kjo nga vetë biznesmeni Shkëlqim Fusha. Pra, aktori ka pranuar ose ka bërë me dëshirë të tij një deklarim të pakërkuar.

A mos do të ishte më mirë që Ndrenika bashkë me aktorët e tjerë të mos kryenin takime private për çështjen e teatrit kombëtar dhe projektit. Fare mirë mund të bëhej një tjetër dëgjesë në lidhje me propozimet dhe kundër-propozimet. Cili është tagri ligjor, që Hervin Culi e Altin Basha janë garantorët e veprës publike? Ligjërisht këto dy emra nuk përfaqësojnë askënd. Ata mund të jenë të ftuar të japin mendim por kurrsesi të ndikojnë në vendimmarrjes. Dëshirat e Culit dhe Bashës që nuk janë as në profesionin e tyre (për ndërtimin e teatrit), e përmbi të gjitha nuk përfaqësojnë ligjërisht askënd nuk mund të plotësohen me paratë e shqiptarëve. A u shqetësua aktori i madh mbi procedurën ligjore që po ndiqet për teatrin e ri? A iu duk fare normale që për këtë projekt vendosin 4 vetë? Culi, Basha, Bejleri dhe ai vetë? Cila është garancia publike që kanë qytetarët shqiptarë në realizimin e kësaj vepre? Kush i caktoi këta emra për të vendosur ku do të shkojnë paratë e projektit dhe si do të realizohet ky projekt?

Në këtë këndvështrim dëshmia e Ndrenikës mund të shërbejë më shumë si denoncim e jo si lajm. Ishte një akuzë publike, e lëshuar në sinqeritet që organet hetimore nuk mund ta injorojnë.

RRËFIMI I PLOTË I ROBERT NDRENIKËS:

“Falënderim!

Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin.
Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë.
Me respekte të ndërsjella, Robert Ndrenika”