Presidenti i vendit Ilir Meta dha një mesazh këtë të shtunë, pasi startoi Ultramaratona, një garë atletike, që synon përshkrimin e Rrugës së Arbërit. Meta shkruan se shqiptarët duan që zëri i tyre të dëgjohet, dhe është koha që kjo të ndodhë tani.

“Shqipëria ka diell për të gjithë! Është një vend i bekuar për të jetuar, por ka nevojë për procese të reja që u japin njerëzve shpresë për të ndërtuar këtu të ardhmen e tyre të sigurt! Shqiptarët duan që zëri i tyre të dëgjohet! Koha është tani!” shkruan Meta në një postim në rrjetet e tij sociale.

Deklarata e Metës vjen pas trazimit të ujërave politike me propozimin e opozitës për hapjen e listave 100% dhe planeve të mazhorancës për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kushtetutën javën e ardhshme.

Meta ka thënë qartë se ai nuk do të miratojë asnjë ndryshim të Kushtetutës që nuk bëhet pa një dakordësi të gjerë mes palëve, dhe pa një diskutim publik ku të dëgjohet dhe zëri i qytetarëve.

Më herët, presidenti deklaroi se kishte pranuar ftesën për të përshëndetur startin e “Ultramaratona 1”, një veprimtarie të rëndësishme atletike, që do të vazhdojë për 3 ditë me radhë, ku pjesëmarrësit do të përshkojnë 116 kilometra në Rrugën e Arbrit.