Në një kohë kur mazhoranca e Edi Ramës, së bashku me opozitën parlamentare kërkojnë që të bëjnë ndryshime në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme, për hapjen e pjesshme të listave dhe për heqjen e koaliconeve parazgjedhore, gjithkush mund të shtrojë pyetjen, sesi mund të ndryshohet ligji themeltar i shtetit me diskutime online.

Ka pasur nga ata që e kanë krahasuar Shqipërinë me Rusinë e Vladimir Putinit, e të tjerë që thonë se jemi rasti unikal që ndryshojmë Kushtetutën jo vetëm në kohë kovidiane por edhe përmes një mbledhje online, ku fjala e deputetëve ndërpritej hera herës nga mungesa e linjës së internetit.

E në mesin e këtyre dallgëve, kundër të cilave janë pozicionuar si pak herë hapur dhe ndërkombëtarët, të cilët thonë se nuk mund të bëhen ndryshime Kushtetuese një vit para zgjedhjeve, e me Edi Ramën që zor se ka ndërmend të tërhiqet, në mendje të vjen një pyetje: A janë dakord socialistët e vjetër që kjo të ndodhë? Çfarë do të thoshte për shembull Fatmir Xhafaj apo Pandeli Majko, njerëz me peshë dhe me vlera në PS, por edhe njohës të mirë të ligjeve…

Duke qenë se asnjëri prej të dyve nuk ka mbajtur një qendrim publik, që mund të mësojmë edhe votën që do të kenë në seancën pleanare, ku për ndryshimet Kushtetuese do të duhen 94 kartona të ngritur, po sjellim në vëmendje deklaratat e tyre të mëhershme, me shpresën se asnjëri prej tyre nuk do të thojë në një të ardhme të afërt, se nuk folën për shkak të ndonjë operacioni në gojë, siç bëri Pandeli Majko në rastin e Teatrit Kombëtar.

Me nga një vit diferencë, në 2011 dhe në 2012, Majko dhe Xhafaj kërkonin që ndryshimet Kushtetuese të bëheshin vetëm me Referndum dhe me një bazë të gjerë diskurimesh, dhe jo siç ndodhi në 2008-tën, ku të paktën në ndryshim nga tani, nuk kishim një opozitë dërrmuese jashtë loje.

Pandeli Majko – 2 gusht 2011

Nuk mendoj se ndryshimet e Kushtetutës duhen bërë me letra bakalli, ashtu siç ndodhi herën e fundit (viti 2008). Mendoj se përballë njëri-tjetrit dhe sidomos përballë opinionit publik, që ndihet shumë i shqetësuar për mënyrën se si komportohet politika shqiptare në marrëdhëniet me interesat që ata duan që kjo politikë të mbulojë, ne na duhet që me seriozitet të ulemi përballë njëri-tjetrit dhe të diskutojmë.

Në fund të fundit aty ku do të ketē dallime ne kemi dhe historinë e një REFERENDUMI që pa u politizuar mund t’i ofrojë publikut një pjesëmarrje për të diskutuar një ligj, që është ligji themeltar i shtetit shqiptar, që vërtet diskutohet dhe votohet nga politikanët, por nuk është pronë e politikanëve.

7 gusht 2012 – Fatmir Xhafaj

Ideja e referendumit është hedhur gjithashtu këto kohë nga ana e Partisë Socialiste, si një zgjidhje e arsyeshme, në rast të mungesës, e theksoj, të mungesës së konsensusit për amendamentet kushtetuese që do të trajtoheshin. NE JEMI DAKORD TË SHKOJMË NË NJË REFERENDUM POPULLOR.

Ndërkohë që për të parë nëse ende do të kenë vullnet të dalin jashtë vendimit të kryetarit të Partisë, Xhafajn dhe Majkon do të duhet ti shohim në seancën plenare, ku Rama dhe ”aleati” i tij në opozitë Myslim Murrizi do të çojnë për votim ndryshimet Kushtetuese.