Në fillim të muajit prill 2019 qeveria krijoi një strukturë të re policore, e cila do të operonte në treg si shoqëri tregtare për të ofruar shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe privatë; një strukturë tërësisht me kapital shtetëror që vepron si një kompani private.

Ndërkohë që janë privatizuar thuajse të gjitha shërbimet e tjera që kanë qenë publike, qeveria vendosi të krijojë një shoqëri publike për të ofruar shërbime private. Illyrian Guard hyri në treg në një kohë aspak të mirë për kompanitë private të sigurisë.

Grabitjet e vazhdueshme të bankave dhe agjencive të tjera të depozitimit valutor kulmuan me super grabitjet brenda aeroportit Nënë Tereza. Qeveria e motivoi këtë ndërhyrje të paprecedentë, sipas specialistëve në këtë treg, me shërbimin e dobët të privatëve, të cilët kishin angazhuar njerëz të pa trajnuar dhe të keq paguar.

Illyrian Guard do të rekrutonte burime njerëzore mes personave që dilnin nga radhët e Policisë së Shtetit dhe që për pasojë do ishin më të trajnuar, si dhe do të kishin standarde më të larta pune e pagese.

Në dukje krijimi i saj është në interes të publikut, pasi do të ofrojë siguri më të madhe për institucionet që ruan. Por, a e cenon konkurrencën e lirë kjo “polici private” me kapital shtetëror?!

Në pikën 10 dhe 11 të vendimit për krijimin e Illyrian Guard shkruhet: “Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.