Vllaznia tashmë do të ketë në drejtimin e saj jo vetëm Bashkinë e Shkodrës, por edhe një donator i cili do të investojë për rritjen dhe mirëmenaxhimin e kuqebluve. Alban Xhaferi ka nisur që këtë javë bashkëpunimin e tij me klubin shkodran dhe në “Rubrika Sportive” tregoi planin që ka për zhvillimin e tij.

“Më e rëndësishme është të fokusohemi e të përfundojmë këtë fazë të vështirë me sukses e kam besim se do ta kalojmë, Kam paraqitur te Bashkia një plan me tre pika kryesore por që normalisht do shtjellim 3-5 vjeçar.

E para ka të bëjë me rikthimin e ekipit pretendent duke synuar majat e renditjes dhe mundësinë që në një periudhë trevjeçare Vllaznia të luajë në Europë e të jetë pretendente për titull. Pastaj është pjesa e akademisë, me të cilën duhet punuar shumë se Shkodra gjeneron lojtarë dhe aty mund të jetë një perspektivë e ardhshme për përmirësimin e biznesit.

E treta dhe e rëndësishme është që duhet të punohet me shumë me marketinun që ka munguar të Vllaznia. Me rritjen e nivelit do të afrohen sponsorë dhe shtohet interesi i publikut shkdoran për pjesën e Vllaznisë. Duke pasur këto komponentë, do të rriten të ardhurat, interesi e Vllaznia do të shkojë aty ku e meriton.

Në vitin e ardhshëm edhe buxheti jonë do të jetë në varësi të buxhetit të Bashkisë. Duke dashur ngjyrat e Vllaznisë, jam i gatshëm që të investojmë për objektiva të larta.

Do të optimizojmë të ardhurat në bazë të objektivave, të ardhurat nuk janë vetëm me çfarë jep bashkia e ne.

Do të ndryshojnë edhe të ardhurat nga marketingu, afrimi i tifozëve. I bëj thirrje edhe sponsorëve të tjerë të na bashkohen. Do të ecet me optimizim kostosh, pastaj faktor kryesor do të jetë Bashkia dhe pjesa jonë e sponsorizimit”, tha Xhaferi.