Nga Ledi Shamku Shkreli

Kur merresha me gatitjen për shtyp të trashëgimisë gjuhësore të Mustafa Krujës leksikograf, hasa në një shqyrtim të tij mbi Fjalorin Etimologjik të Gustav Meyerit.

Për ata që nuk e dinë ose e dinë turbull, Meyer është themeluesi i tezës ilire të gjuhës shqipe, autor i të vetmit Fjalor Etimologjik të Shqipes (të botuar) si edhe studiues i gramatikës historike të shqipes

Mustafa Kruja vëren me pezm sesi sulmohej me tërbim Meyer në vitet ‘50 nga pseudofilologët se paskësh marrë për bazë vetëm shqipen e diasporës duke na e nxjerrë gjuhën tonë më shumë latine se ç’ish

Nuk dua të ndalem këtu në analizën e veprës së Meyerit, por në fjalinë përmbyllëse të Mustafa Krujës ndaj tij, i cili në lidhje me sulmet ndaj Meyerit shkruante: “Unë besoj se ky dijetar meriton nga ne shqiptarët ma shumë mirënjohje se ankime”

Kjo frazë e Krujës të cilin poashtu e rëndojnë veç me ankime e aspak mirënjohje, paçka se Xhuvani e vlerëson si themelues të Leksikografisë shqiptare, mu kujtua edhe këto ditë.

Shumë të zorshme e paskemi mirënjohjen e sa të gatshëm topin e baltës!

Në fund, më vjen në mend edhe një replikë e Çabejt kur sulmohej si tradhëtar (histori pa mbarim kjo damkosje) dhe si i përulur ndaj dijes së huaj. Çabej tha: “Patriotizmi nuk është një medalje që ti e var të ta shohin bota”

Mesa duket sot më shumë se dje do ftilluar ç’është patriotizmi, se shumë po e kërkojnë ende te jakë e xhaketës, atu ku vjerren stemat.