Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Shkodër. Dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës, pasi dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit. Deri më tani është gjetur trupi i vajëz 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton edhe nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë, 8 vjeç, dhe një djalë, 3 vjeç.

Edhe ata sipas policisë, dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë dhe polumbarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave. Pasi është gjetur trupi i pajetë i vajzës së mitur, në pranga është vënë babai Erdgys Arrazi, i cili akuzohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë. Ka qenë vetë 31-vjeçari Erys Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera. Në denoncimin e tij, Arrazi ka deklaruar se gruaja është larguar që prej datës 2 maj.

Dhuna në familje ka çuar nënën të ndërmarrë këtë akt ekstrem, ku sipas policisë dyshohet se edhe ajo është vetëmbytur në lumë bashkë me 3 fëmijët. Kërkimet kanë nisur menjëherë pas kallëzimit të bashkëshortit, ku mbrëmjen e djeshme, 4 maj, u gjet vajza 9-vjeçare.
“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve Erdgys Arrazi dhe Alma Arrazi, e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, njofton policia.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.