Për shkrimtarin Primo Shllaku, kur zëra të ndryshëm me impakt publik bëjnë interpretime të fakteve, që lidhen me veprimtarinë e figurave me peshë të vendit, institucionet nuk duhet të heshtin. Rasti konkret, që lidhet me botimin e shkrimit të studiuesit Auron Tare “Dritëhije mbi Camajn dhe Koliqin” në “Peizazhe të fjalës” ku dy shkrimtarët trajtohen si informatorë të agjencive të huaja të spiunazhit, sipas tij kërkon një reagim nga ana e Akademisë së Shkencave. Sipas Shllakut është koha që ky institucion, tanimë i reformuar dhe me një kryetar të ri të tregojë kompetencat e veta, pasi siç ai thekson, një shkrim dhe disa interpretime të fragmenteve arkivore, nuk mund ti paraqiten publikut, si studim i mirëfilltë.

“Ai nuk është një studim, por është një koleksionim dokumentesh të deklasifikuara nga CIA, që mund të futet gjithkush, edhe me siguri që Tare ka një lloj hobi të merret me arkivat. Akademia e Shkencave ndodhet e implikuar me apo padashje, përderisa unë i shikoj emrin. Unë jam ndër kritikët e fortë të Akademisë së Shkencave, në kohën që kishte tjetër kryetar, edhe e kam përshëndetur ardhjen e të rinjve. E kam përshëndetur. Por, tani unë po shikoj, edhe më intereson që të di, se çfarë duhani pi kjo akademia e re, ku e ka mendjen?! Unë shikoj se e kanë filluar me sigurimin, por unë e dua fjalën e tyre. Nuk po them se janë gënjeshtra, por unë si studiues i Camajt, e dua mendimin e tyre thotë mes të. tjerash Shllaku.

Faktin, që në mënyrë të përsëritur tentohet të baltosen këto dy personalitete, ai e shikon si të dyshimtë, madje si vazhdë të sulmit që ju bë nga sistemi komunist. Megjithatë, Shllaku mendon se edhe shkrimtarë të tjerë, si Agolli edhe Kadare, duhet ti nënshtrohen një analize të rreptë

“Kontributeve letrare të personaliteteve edhe të figurave gjatë Luftës së Ftohtë, duhet që t’i nënshtrohet një analize të rreptë, jo vetëm rreptësisht këta të tre, që kanë rënë sot në fatkeqësi, por të shihen edhe shkrimtarët e realizmit socialist, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Arapi” thotë Shllaku.

Ndonëse, si njohës i veprimtarisë së Camajt e Koliqit, e përjashton mundësinë e përfshirjes së tyre në aktivitet antikombëtar, ai fton Auron Taren, e me të edhe studiues të tjerë që këmbëngulin të zbardhet profili politik i shkrimtarëve e figurave të njohura të tjera të hulumtojnë edhe në Arkivat e Francës

Nëse është burrë, edhe ka këllqe të forta edhe lidhje të forta. të gërmojë pak edhe në arkivat e Francës. Kaq i them” përfundon Shllaku.
Deri më tani, mbi këtë debat nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Akademia e Shkencave