Evis Shurdha, kryetare e KPP, institucion që jep ligjshmërinë mbi tenderat dhe PPP është larguar nga detyra. Njoftimi jepet në faqen zyrtare të këshillit të Ministrave, ku është hapur edhe gara për zëvendësimin e saj, si dhe janë shpallur kriteret për kandidatët.

Referuar njoftimit, kandidatët kanë afat për dorëzimin e dokumenteve deri me datën 26 qershor, pra vetëm dy ditë nga dita e sotme, ndërsa Komisioni ad-hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bën vlerësimin paraprak të dosjeve të aplikantëve dhe publikon në ëeb-faqen zyrtare të Kryeministrisë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’u emëruar.

Komisioni ad-hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së vlerësimit paraprak të dosjeve, bën vlerësimin me pikë të tyre, sipas parashikimit të vendimit nr.521, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar dhe anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik”.

Pas vlerësimit të jetëshkrimit, kandidatët mund t’i nënshtrohen intervistës së strukturuar me gojë, për të cilën do të njoftohen për datat përkatëse të zhvillimit të saj.

Lista e kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, renditur sipas pikëve të marra, do të publikohet në ëeb-faqen zyrtare të Kryeministrisë.