Ndërron jetë Doktor Simë Dobreci.

“Unë jam më i varfër sepse humbëm një SIMBOL të qytetarisë, dashnise ndaj atdheut, vendit të të parëve, traditës e kulturës tonë” Kështu shkruan gazetari Simon Shkreli teksa jep lajmin e ndarjes nga jeta të Simë Dobrecit, mjekut shqiptar nga Mali i Zi.

Simë Dobreci u lind më 27 mars 1934 në Braticë, Ulqin, shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë (1953) gjimnazin në Tivar (1957) Fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963) Punoi në Tivar e Ulqin si mjek nga viti 1964 deri 1967. Në vitin 1967 filloi punën në Spitalin e Prishtinës, ku edhe filloi specializimin për dermatologji, ndërsa e kreu në Zagreb në vitin 1970. Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada.

Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore.

Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.

Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.

Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica)

Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. Ditët e fundit i kaloi në Braticë, ndërsa asnjë çast nuk hoqi dorë nga profesioni i tij.