Kryeministri Edi Rama ka pranuar të gjitha kërkesat e Shoqatave të Transportit por duke ndaluar kategorikisht rritjen e çmimit të biletës. Më 15 qershor do të rinisë shërbimi i transportit urban dhe ndërurban, sipas protokollit të miratuar të sigurisë shëndetësore nën masat anti-covid.

Transporti publik është një ndër aktivitetet që vijon të jetë akoma i mbyllur për shkak të përhapjes së pandemisë së COVID-it dhe që ka pësuar shumë dëmtime ekonomike, për pasojë kreu i qeverisë ka prezantuar paketën e ndihmës për transportin publik përmes një statusi të publikuar në Facebook.

Të hënën 15 qershor rinis shërbimi i transportit urban dhe ndërurban, sipas protokollit të miratuar të sigurisë shëndetësore. Qeveria do ta mbështesë këtë sektor përmes: njohjes si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020, brenda 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë, ndalohet kategorikisht rritja e çmimit të biletës për qytetarët ka shkruar Rama.

Kujtojmë se ditën e sotme Shoqatat e Transportit zhvilluan një protestë para Ministrisë së Infrastrukturës për plotësimin e 6 kërkesave dhe për qartësimin e rregullave të reja që do të presin pasagjerët pas datës 15 qershor.

Ditën e djeshme ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka prezantuar edhe rregullat kryesore që duhen zbatuar nga operatorët e transportit publik, ku të gjithë qytetarët dhe personeli i shërbimit do të duhet të jenë të pajisur me maska dhe autobusët do të qarkullojnë vetëm me 70% të kapacitetit të lejuar.