Ambasadorja amerikane Yuri Kim do të takojë në orën 14 e 30 kreun e PD së Lulzim Basha, në selinë blu. Më herët gjatë ditës së sotme Yuri Kim bëri një deklaratë tjetër sa i takon Reformës në Drejtësi, për të cilën kohët e fundit ka thënë se po bëhen marrëveshje të fshehta dhe pazare pas shpine.

Në fokus të takimit mes Bashës dhe ambasadores pritet të jenë dhe zhvillimet e fundit sa i takon Reformës Zgjedhore dhe asaj në Drejtësi, që sipas Kim po cënohen nga marrëveshje të fshehta mes palëve politike

Më herët Kim dha një tjetër mesazh, ku tha se Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane.

Deklarata e SHBA Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar. Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për reformën. Prej atëherë, janë ngritur institucione kyçe dhe zbatimi vazhdon për ti bërë ato funksionale. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme.

Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar. Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi.