Kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë nga fillimi i kampionatit, tek Vllaznia është krijuar një kaos i madh. Stafi teknik ende nuk e ka të qartë se me cilët lojtarë do të paraqitet në fushë në takimin e parë, atë ndaj Flamurtarit. Kjo ngaqë thuajse të gjithë titullarët nuk e kanë ndër mend të vijojnë të stërviten, e po ashtu edhe të luajnë, pa iu dhënë rrogat e prapambetura dhe pa sqaruar problemin e shtyrjes së kontratave.

Lojtarët nuk janë bindur shumë nga fjalët e administratorit Lici dhe kanë vendosur që të vijojnë protestën e tyre. Por ndërkohë kanë bërë thirrje që institucionet përkatëse, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Shkodër, ta zgjidhin ngërçin e krijuar për zhbllokimin e buxhetit të Vllaznisë

Situata në fakt nuk është aspak normale. Përveç futbollistëve të ekipit të parë, pa u paguar prej muajsh janë edhe trajnerët e Akademisë, administrata e klubit dhe punonjësit e terreneve sportive. Mosmiratimi ende i buxhetit të klubit nga ana e Asamblesë ka krijuar një problem të tillë që ende nuk po gjen zgjidhje

Ditën e sotme, Këshilli Bashkiak ka zhvilluar mbledhjen e rradhës por sërish nuk është diskutuar fare për Vllazninë. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë, por situata kuptohet që është shumë problematike dhe kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë. Tifozët kanë filluar të bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të zhvilluar një protestë të madhe, pikërisht për Vllazninë, por ende nuk është e qartë nëse do të realizohet apo jo.

Skuadra shkodrane herëpashere është përballur me të tilla probleme që kanë dhënë ndikimin e vet edhe në rezultatet e saj dhe për këtë arsye, ekziston frika e përsëritjes së situatës të para dy viteve kur Vllaznia ra nga Superliga.

Nëse nuk duan të ndodhë kështu, kuptohet që drejtuesit duhet të lëvizin sa më shpejt të jetë e mundur, pasi çdo ditë që kalon, i shton edhe më shumë hallet dhe problemet e kuqebluve