Më 20 maj të vitit 1903 lindi në Shkodër, Ernest Koliqi, mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar, ndërkohë si Ministër Arsimi ka meritën për dërgimin e 200 mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Koliqi i përkiste shkolle italiane të formimit letrar. Ishte themelues dhe drejtues i tri revistave kulturore: “Ora e maleve” “Shkëndija” dhe “Shêjzat” Ai ushtroi edhe profesionin e mësuesit dhe profesorit më shumë se tridhjetë vjet në Padovë dhe Romë të Italisë.

Kontributi i Koliqit në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë është i lidhur me emrin si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare më 1940 në Tiranë, dhe me shndërrimin e katedrës së gjuhës dhe letërsisë në “Institutin e Studimeve Shqiptare” në Romë.

Me një veprimtari të shkurtër në politikë si Ministër i Arsimit, Koliqi iu përkushtua zgjerimit dhe përhapjes së shkollave shqipe në trevat shqiptare dhe botimeve të shumta në shqip. Veprat e tij më të njohura janë: “Kushtrimi i Skanderbegut” “Hija e maleve” “Tregtar flamujsh” “Pasqyrat e Narcizit” “Kangjelat e Rilindjes”

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-41.

Koliqi vdiq në Romë më 15 janar 1975