Kryeministri Edi Rama shkruan: Sot duke vizituar kantierin e Teatrit të ri të Operas dhe Baletit, ku po përfundon një transformim fantastik brenda asaj hapesire deri dje të degraduar që turpëronte Shqipërinë e shtetin e saj, m’u kujtua që 21 vjet më parë, tamam në të njëjtin vend mbi skenë, fillimi i betejës për reformimin e sistemit teatror dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar…

Sa shumë energji të harxhuara e vite të humbura kot, mbi dy skena turpëruese për komunitetin tonë teatror dhe për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze së paku në TOB e në Teatrin Kombëtar!

Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan pa punuar dot një ditë në kushte dinjitoze dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje një shfaqje në kushte normale!

Mbase s’kanë faj disa të rinj që u bashkohen politikanëve e partive që janë njësoj si tallashi e si teneqeja e godinës që më në fund u shemb edhe formalisht, pasi kishte vdekur faktikisht prej shumë e shumë vitesh, sepse nuk kanë qenë kurrë në teatër dhe mendimet e shijet për teatrin, i kanë formuar thjesht duke ndjekur shfaqjen e pafundme të vulgaritetit të pikërisht atyre politikanëve që dinë vetëm të bëjnë sikur revoltohen për fatet e popullit…

Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe këta të rinj të kuptojnë nesër, pse sot ia fusin kot kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet