Ideja e hedhur për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, u avancua nga ana e kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi publikisht se projekti ka një vit që po studiohet nga ekspertët e qeverisë.

Kryeministri pas reagimit të BE-së theksoi se konsultimet për projektligjin nuk janë kryer me ekspertët europianë dhe se qeveria synon ta miratojë brenda këtij sesioni parlamentar, pra brenda korrikut.

“Kemi një vit që punojmë me draftin. Se nga vijnë idetë, unë sjam nga ata që luftoj për copyright. Kjo tanimë është një trend botëror. Jemi në kohën që duhet ta kalojmë brenda këtij sesioni parlamentar” tha Rama në konferencën për shtyp.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar polemika të shumta, ndërsa drafti 1-vjeçar duket se është mbajtur i fshehtë edhe për vetë ministrat e kabinetit. Ka qenë pikërisht ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj që me deklaratat e tij në emisionin “Opinion” ka dhënë një tjetër mendim për çështjen e projektligji për legalizimin e kanabisit, duke bërë të ditur se nuk e ka parë projektin.

“Duke qenë se bëhet fjalë për një projekt mjekësor Ministria e Brendshme nuk është përfshirë ende në këtë proces. Sepse ende jemi në një fazë të hershme të procesit, sigurisht do i merret mendimi sepse përveçse mjekësor, një projekt i tillë sigurisht ka dhe elementë sigurie. Dhe vetëm kur të bëhet bashkë elementi mjekësor dhe elementi i sigurisë, atëherë do të jetë i pjekur projekti për tu diskutuar” tha ministri i Brendshëm.

Gjithashtu ministri deklaroi se drafti nuk është shqyrtuar as me partnerët si ICITAP apo PAMECA, dy organizmat ndërkombëtare që mbështesin policinë shqiptare. Pra projekti i qeverisë, studimi njëvjeçar është vetëm në anën mjekësor dhe përfitimet ekonomike, sa i përket sigurisë, nga ajo çfarë deklaron Lleshaj, ministria e Brendshme akoma nuk dhanë një mendim, nëse duhet të legalizohet kanabisi për qëllime mjekësore.