Në këtë situatë pandemie, sa i takon marrëdhënieve politike, dy gjëra kanë rënë më së shumti në sy: afrimi i kryeministrit Edi Rama me Presidentin Ilir Meta dhe ftohja e kryetares së LSI Monika Kryemadhi me kreun e PD Lulzim Basha.

Teksa Rama Meta janë në ditët e tyre më të mira, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dyshen Basha-Kryemadhi.

Deri më 2 mars, aksioni i tyre politik ka qenë tejet i koordinuar, aq sa të dy njëzëri iu përgjigjën thirrjes së Presidentit për t’iu bashkuar tubimit në Bulevard. Mirëpo duket se kjo gjë ka sjellë edhe krisjen e raporteve mes tyre.

Shfaqja e Bashës krah Metës nuk u pa me sy të mirë nga demokratët. Një pjesë e anatemuan këtë publikisht e madje, jo më larg se dje, Dashamir Shehi, një nga aleatët besnikë të Bashës e tha hapur se Sa herë që opozita ka afrim të tepruar me Metën, i bën dëm vetes dhe i bën dëm edhe Metës.

Pas 2 marsit, Basha jo vetëm që s’u pa më afër Metës por as afër Monikës. Më datë 23 prill 2020, pra 9 ditë më parë, Basha thirri një mbledhje me aleatët ku mungonte aleatja e tij më e madhe, e pandashme deri në atë moment, pikërisht Monika Kryemadhi.

Mungesa e saj u vu re shumë mediatikisht për shkak se kjo datë përkonte me periudhën e karantinës dhe logjikisht kryetarja e LSI, nuk mund të kishte një agjendë të ngjeshur.

Megjithatë koha do të hedhë më shumë dritë mbi këtë marrëdhënie teksa zërat vlojnë tanimë për një mungesë sinkronizimi politik mes palëve.