Kur historianët të shkruajnë librin e pandemisë së COVID-19, atë që ne po jetojmë deri tani do të tregojnë ndoshta vetëm 1/3-ën. Pjesa më e madhe e tregimit do jetë ajo që ndodh më pas.

Në pjesën më të madhe të Evropës, Azisë Lindore dhe Amerikës së Veriut, maja e pandemisë do të ketë kaluar deri në fund të këtij muaji.

Pas disa javësh, shumë shpresojnë se gjërat do të kthehen në mënyrën sesi ishin në dhjetor. Fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë. Unë besoj se njerëzimi do ta mundë këtë pandemi, por vetëm kur shumica e popullsisë vaksinohet. Deri atëherë, jeta nuk do të kthehet në normalitet.

Edhe nëse qeveritë e çdo vendi do heqin rregullat për karantinim dhe do i lejojnë bizneset të hapen, njerëzit do kenë një frikë të madhe se mund të ekspozojnë veten në çdo moment ndaj sëmundjes.

Aeroportet nuk do të kenë më turma të mëdha. Ndeshjet do të luhen në stadiume të zbrazëta. Ekonomia botërore do të jetë në depresion, sepse kërkesa do mbetet e ulët dhe njerëzit do vazhdojnë të shpenzojnë më pak.

Ndërkohë që pandemia ngadalësohet në vendet e zhvilluara, ajo do të përshpejtohet në vendet në zhvillim. Megjithatë, përvoja e tyre do jetë gjithsesi më e keqe. Në vendet më të varfëra, më pak punë mund të bëhet në distancë, ndaj masat e mbylljes nuk do fuksionojnë. Virusi do përhapet shpejt dhe sistemet shëndetësore nuk do jenë në gjendje të kujdesen për të infektuarit. Covidi mposhti vende si New York-u, edhe pse të dhënat tregojnë se një spital i vetëm në Manhattan ka më shumë shtretër të kujdesit intensiv, se shumica e vendeve afrikane, të marrë të gjitha së bashku. Miliona mund të vdesin.

Kombet e fuqishme mund të ndihmojnë për shembull duke u siguruar që furnizimet kritike të mos shkojnë tek ai që bën ofertën më të lartë, por që njerëzit e vendeve të pasura dhe të varfëra të jenë njësoj të sigurt, derisa të kemi zgjidhjen e vetme të këtij virusi, vaksinën.

Gjatë vitit të ardhshëm, studiuesit mjekësorë do të jenë ndër njerëzit më të rëndësishëm në botë. Për fat të mirë, edhe para kësaj pandemie, ata po bënin hapa gjigantë në vaksinologji. Vaksinat konvencionale e mësojnë trupin tuaj të njohë formën e një patogjeni, zakonisht duke futur një formë të vdekur ose të dobësuar të virusit. Por ekziston gjithashtu një lloj i ri imunizimi që nuk kërkon nga studiuesit të kalojnë kohë duke rritur vëllime të mëdha të patogjenëve. Këto vaksina përdorin kodin gjenetik për t’u dhënë udhëzime qelizave tuaja se si të krijojnë një përgjigje imune. Ato ndoshta mund të prodhohen më shpejt se vaksinat tradicionale.

Shpresa ime është që deri në gjysmën e dytë të vitit 2021 në të gjithë botën të prodhohet një vaksinë. Nëse do të ndodhë kështu, do të jetë një arritje historike: njerëzimi nuk ka qenë kurrë më i shpejtë nga njohja e një sëmundjeje të re në imunizimin kundër saj.

Përveç këtij përparimi me vaksinat, dy përparime të tjera të mëdha mjekësore do të dalin nga pandemia. Njëra do të jetë në fushën e diagnostifikimit. Herën tjetër që një virus i ri do dalë, njerëzit ndoshta do të jenë në gjendje ta testojnë atë në shtëpi në të njëjtën mënyrë që testojnë shtatzëninë. Në vend që të urinojnë në një test, do shfryjnë hundët për të marrë rezultatin.

Përparimi i tretë do të jenë ilaçet antivirale. Deri tani, kjo ka qenë një degë në të cilën është lënë pas dore investimi. Ne nuk kemi qenë aq të efektshëm në zhvillimin e ilaçeve për të luftuar viruset, ashtu siç kemi ato për të luftuar bakteret. Por kjo do të ndryshojë. Studiuesit do të zhvillojnë lloje të ndryshme të antiviraleve. Do të jenë në gjendje të skanojnë dhe të gjejnë shpejt trajtime efektive për viruset e reja.

Të tre teknologjitë do të na përgatisin për pandeminë tjetër, duke na lejuar të ndërhyjmë herët, kur numri i rasteve është ende shumë i ulët. Por hulumtimi themelor do të na ndihmojë gjithashtu në luftimin e sëmundjeve infektive ekzistuese, madje do të ndihmojë në avancimin e kurave për kancer. Shkencëtarët kanë menduar gjatë se vaksinat ‘mrna’ mund të çojnë në një vaksinë tjerët kundër kancerit. Deri tani nuk kishte shumë hulumtime se si ato mund të prodhoheshin masivisht dhe me çmime disi të përballueshme.

Përparimi ynë nuk do të jetë vetëm në shkencë. Do të jetë gjithashtu në aftësinë tonë për t’u siguruar që të gjithë përfitojnë nga kjo shkencë. Në vitet pas 2021-shit, unë mendoj se do të mësojmë siç bëmë pas 1945-ës. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, liderët ndërtuan institucione ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara për të parandaluar më shumë konflikte. Pas Covid-19, udhëheqësit do të përgatisin institucione për të parandaluar pandeminë tjetër.

Këto do të jenë një ndërthurje e organizatave kombëtare, rajonale dhe globale. Unë pres që ata të marrin pjesë në “lojëra mikrobesh” ashtu siç forcat e armatosura merrnin pjesë në lojëra lufte. Këto do të na mbajnë gati për herë tjetër, kur një virus i ri të transmetohet nga lakuriqët ose zogjtë, te njerëzit. Ky bashkim gjithashtu do të na përgatisë nëse një njeri i keq do krijojë një sëmundje infektive në një laborator të bërë në shtëpi dhe do përpiqet luftojë botën me të. Duke u praktikuar ndaj një pandemie, bota do të mbrojë veten kundër një akti bioterrorist.

Globalizmi nuk mund të shuhet, ai duhet të vazhdojë! Ja pse! Shpresoj që kombet e pasura edhe ato më të varfrat të përfshihen në këto përgatitje, veçanërisht duke i kushtuar rëndësi ndërtimit të sistemeve të tyre parësore të kujdesit shëndetësor. Edhe njerëzit e izoluar, ashtu si qeveritë duhet të pajtohen me këtë. Kjo pandemi na ka treguar se viruset nuk u binden ligjeve të kufijve dhe se ne të gjithë jemi të lidhur biologjikisht nga një rrjet i mikrobeve mikroskopike, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo kjo gjë. Edhe nëse një virus i ri shfaqet në një vend të varfër, ne duam që mjekët e këtij vendi të kenë aftësinë ta zbulojnë atë dhe ta luftojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Historia nuk ndjek një drejtim të caktuar.

Njerëzit zgjedhin se cilin drejtim të marrin dhe mund të bëjnë kthesën e gabuar. Vitet pas 2021-shit mund të ngjajnë me vitet pas 1945 ës. Por analogjia më e mirë për sot (në momentin që flasim) mund të jetë 10 nëntori i 1942shit. Britania sapo kishte fituar betejën e saj të parë në luftë dhe Winston Churchill deklaroi në një fjalim Ky nuk është fundi. Nuk është as fillimi i fundit. Por, mbase është fundi i fillimit .