Java e katërt e shtetrrethimit 40 orësh që fillon të shtunën (11.04.2020) dhe mbaron të hënën (13.04) e gjen Shqipërinë me betejën e parë të fituar në luftën me COVID -19: kurba e infektimeve ulet, në vend ka më shumë të shëruar, më pak të shtruar. Në 24 orët e fundit ka patur vetëm 7 raste të reja, kur një javë më parë pandemia arriti pikun me 29 raste të tilla. Autoritetet konfirmojnë ulje këtë javë të kurbës së infektimit nga virusi corona. Mjeku infeksionist, Prof. Pëllumb Pipero, që është në vijën e parë të “zjarrit” që prej një muaji në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” në Tiranë, thotë për DW se prognoza për javën që vjen është optimiste. “Rënia e numrit të rasteve reja të infektuara do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme gjatë javës së ardhshme. Në gjysmën e dytë të muajit Prill do të ketë raste të reja më të pakta. Gjithsesi tregues i saktë do të jenë rezultatet e mostrave, të analizave, ” thotë për DW, Prof. Pipero.
Një muaj pas prekjes së Shqipërisë nga virusi corona, pandemia ka përfshirë 17 bashki nga 61 që janë gjithsej, me 416 të infektuar, 23 viktima, 182 të shëruar, 3395 të testuar. Epiqendra vazhdon të mbetet Tirana me 199 raste, e ndjekur nga Shkodra me 49, Durrësi 38, Fieri 32, Korꞔa 17, Elbasani 15, Lezha 14, Hasi 12, Kavaja 8,Lushnja, Vlora,Kruja 5, Puka, Tropoja, Rrogozhina 4, Mirdita 3 dhe Berati 2. Por shifrat e ulura nuk përjashtojnë rikthimin e rritjes së kurbes së infeksionit. “Duhen respektuar në mënyrë rigoroze masat kufizuese të qeverisë, distancimi social dhe karantina, duhen zbatuar këshillat e mjekeve. Me kete virus nuk bëhet shaka” paralajmëron Prof. Pipero
Rama: Dalja nga faza e parë e pandemisë në fund të Majit
Ulja e kurbës së infeksionit ka sjellë edhe parashikime optimiste afat-shkurtëra dhe lajme të mira për qytetarët dhe bizneset. Kryeministri Rama bëri me dije të premten, (10.04) se “në fund të Majit mund të ketë një dalje nga faza e parë përballjes së gjithanshme me “armikun e padukshëm” dhe një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik mund të rikthehet në normalitet”. “Do të zgjerojmë fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare deri në orën 17.30, do të zgjerojmë mundësinë e lëvizjes së automjeteve private të atyre që punojnë në hapësirën e aktivitetit ekonomik”, bëri me dije kryemnistri Rama në një postim në median sociale, duke rritur me 4 orë e gjysëm në ditë lirinë e lëvizjes.