La postin si administratore e spitalit polivalent në QSUT dhe shkoi drejt e në zemër të Covid 19. Kjo është historia e Ana Lucës, kryeinfermieres së përgjithshme të spitalit Infektiv. Ana u rikthye në profesionin e saj, duke zëvendësuar kolegen që u prek nga coronavirus. Nuk e mendoi dy herë vendimin edhe pse rrezikon të ketë të njëjtin fat.

Isha me leje të zakonshme, kur mora vesh lajmin për rastet e para të infektuar në Shqipëri . Të nesërmen u ktheva menjëherë në punë dhe kërkova të rikthehesha në profesionin tim, atë të infermieres në spitalin Infektiv  na tregon Ana për rubrikën Covid Histori në Euronews Albania.   

Koleget e saj po sëmureshin njëra pas tjetrës, ndaj shumë shpejt Ana mori pozicionin e kryeinfermieres së përgjithshme të spitalit Infektiv. Ata që ndjekin rrjetet sociale, mes fotove që publikon ministria e shëndetësisë, ju ka rënë në sy edhe një foto ku duket maska e infermieres me mbishkrimin. Unë besoj në Zot . Është Ana e rrëfimit tonë.

Ka një tip të veçantë dhe shumë optimist. E këtë optimizëm përpiqet ta përcjellë mes kolegëve të saj, por më së shumti mes të sëmurëve kur hyn në pavion. Orët e gjata të punës 12 por ndonjëherë edhe 14 , nuk ja kanë zbehur shpresën se çdo gjë do kalojë shpejt e do takojë sërish të birin.

Nga frika se mos sëmuret dhe infekton edhe atë, Ana është izoluar e vetme në shtëpi. Dhe momenti kur flet për merakun e të birit, është i vetmi kur heq buzëqeshjen nga fytyra dhe përlotet.  

Është e sinqertë deri në pikën kur pranon se kur hyn mes të sëmurëve druhet se edhe ajo do preket nga virusi që është kudo i shpërndarë. Por ndjenja fashitet, sapo flet me ta dhe kupton që ai staf mjekësor është e vetmja familje për të prekurit nga Covid 19.  Ana Luca e mbyll rrëfimin me fjalët Dalshim të gjithë faqebardhë