Dosja penale që mban nr.62 ku flitet për veprimtarinë kriminale të anëtarëve të grupit “Bajri” në Shkodër, është kthyer në lojë ping-pongu, mes prokurorisë së posaçme në Tiranë SPAK, dhe gjykatës së Shkodrës. Kjo pasi të dyja këto institucione të drejtësisë shqiptare nuk pranojnë të mbajnë dhe gjykojnë këtë dosje penale,
Pas tre vendimeve të shpalljes së moskopetencës nga SPAK, më konkretisht në 31 janar 2020 dhe më pas nga Gjykata e Shkodrës në 19 shkurt 2020, e sërisht nga SPAK-u në mars 2020, duke kthyer dosjen penale sërisht për gjykim në gjykatën e Shkodrës, mësohet se tashmë kjo gjykatë, ka vendosur të mospranojë gjykimin e çështjes penale të grupit “Bajri” duke vendosur shpalljen e moskopetencës dhe kalimin e çështjes në, Gjykatën e Lartë, për interpretim ligjor. Por në kushtet kur Gjykata e Lartë, ende nuk ka gjyqtarë për të gjykuar dhe ku supozohet që për gati dy vjet kjo gjykatë të formojë komplet organikën e saj me gjykatës, afatet e paraburgimit për të pandehurit kanë përfunduar.
Vendimi për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e dosjes për interpretim lëndor në Gjykatën e Lartë, tashmë është apeluar nga prokuroria e Shkodrës dhe në ditët në vijim do ketë një vendimmarrje për ketë çështje. Prokuroria e Shkodrës, kërkon që çështja ndaj të pandehurve të kësaj dosje të gjykohet në gjykatën e këtij qyteti, por gjykata argumenton se duhet që SPAK, të pushojë ndaj të pandehurve akuzën e “Grupit të Strukturuar kriminal” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarët publikë” Mirëpo ky konflikt ligjor i nisur mes dy institucioneve të drejtësisë në Tiranë e Shkodër, po favorizon ndjeshëm personat kryesorë të arrestuar që ndodhet në burg.
Pasi me përfundimin e afateve të paraburgimit, shuhet masa e “arrestit në burg” për liderin e këtij grupi Behar Bajri, Enver Bajri dhe të pandehurit e tjerë si Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Astmer Bilali. Kjo situatë e përfundimit të afateve të paraburgimit si pasojë e përplasjeve institucionale do sjellë lirimin e këtyre personazheve, që u arrestuan me shumë bujë nga policia e Shtetit në shtator 2018, gjatë operacionit të koduar “Oaz”. Dosja penale e ndërtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në 31 janar 2020 u dërgua nga Tirana në Shkodër për gjykim vetëm për akuzat e “Vrasjes me paramendim” “Kanosjes me qëllim tjetërsimin e pasurisë” “Shpërdorim detyre” dhe “Mbajtja pa lejë të armëve luftarake”