Një ditë pas vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj dhe urdhrit të Prefektit ndaj tregjeve për zbatimin e rregullave të reja të distancimit social, në terren ka zbritur vetë drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj.
I shoqëruar edhe nga Drejtori i Departamentit për hetimin e krimeve në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj, kanë vëzhguar situatën në tregjet e Shkodrës. Drejtori i Policisë Shkodër Niko Brahimaj u shpreh se sot situata është ndryshe dhe se shkodranët i mirëkuptojnë masat e vëna nga qeveria. Ai i ka bere thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë bashkëpunues në mënyrë që kjo luftë të fitohet.
“Kalimi im në inspektim të të gjithë shërbimeve, nuk ka të bëje me ardhjen e ministrit të Brendshëm apo drejtorit të Policisë së shtetit, ka të bëjë me një plan të mirëorganizuar nën drejtimin e pushtetit vendor, më të lartit këtu që është prefekti, nën një bashkëpunim shumë të mirë me bashkinë e Shkodrës, AKU, ISHP të Shkodrës, për të ndërgjegjësuar të gjithë opinionin publik, pjesën e tregtarëve të Shkodrës të cilët unë i respektoj shumë për mirëkuptimin, respektoj dhe qytetarinë të cilët deri tani na kanë mirëkuptuar.
Jam i bindur që rastet në rritje të koronavirusit në Shkodër nuk janë thjesht vetëm për mosmarrje masash por janë raste sporadike të veçuara për shkaqe nga më të ndryshmet qoftë këto edhe në traditën e shqiptarit. Sot kemi një ulje drastike të rasteve jo vetëm për shkak të masave që ka marrë policia, por edhe për shkak të ndërgjegjësimit të qytetarisë shkodrane. I bëj thirrje të gjithëve të mbështesim veprimet e policisë që janë veprime në një situatë ekstreme. Ne nuk dëshirojmë dhe nuk urojmë kurrë që këto masa ekstreme të vazhdojnë gjatë, nuk është në dorën tonë, por gjithsesi jemi në një luftë dhe kjo luftë duhet fituar” u shpreh drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj.