Kryeministri i Britanisë Boris Johnson, i infektuar me koronavirus, ka pësuar një përkeqësim të gjendjes shëndetësore duke bërë që mjekët ta shtrojnë menjëherë në terapi intensive.
Pas zbulimit se ishte pozitiv me COVID-19, Johnson ishte i karantinuar në shtëpinë e tij, por mbrëmjen e djeshme u shtrua në spital pasi kishte nevojë për oksigjen. Ditën e sotme simptomat e tij janë përkeqësuar duke bërë që të shtrohet menjëherë në terapi intensive.
Kryeministri Johnson i ka kërkuar Ministrit të Jashtëm, Dominic Raab të kryejë detyrat e tij “aty ku është e nevojshme” tha një zëdhënës i Downing Street.
Kryeministri, 55 vjeç, u shtrua të dielën në Spitalin St Thomas në Londër me këshillën e ekipit të tij mjekësor dhe po merr kujdesin e duhur.
“Gjatë kësaj pasdite, gjendja e kryeministrit është përkeqësuar dhe, me këshillën e ekipit të tij mjekësor, ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv në spital” tha zëdhënësi.
Në Angli janë 51 608 raste pozitive me COVID-19 në të gjithë vendin, kanë humbur jetën 5 373 persona dhe vetëm 135 pacientë janë shëruar.