Është ndarë nga jeta , mësuesi Fiqiret Hoxha, një emër i nderuar në Shkodër.Një jetë e tërë e mbushur me dashuri për nxënësit, me dëshirën për të përçuar tek ato jo vetëm dije por dhe kulture e edukate, me pasionin për punën e që e bëjnë të ndihet i nderuar në breza mësuesish e nxënësish . Fiqiret Hoxha , një mësues i palodhur , për qytetarët e Shkodrës ishte më shumë se një pjestar i komunitetit të nderuar të mësuesve . I palodhur , ai gjithçka e vuri në shërbim të nxënësve dhe arsimit , këtij profesioni fisnik e human.
Që para se të dilte në pension Fiqiret Hoxha botoi librin e tij të pare që është një vepër me vlera të vërteta shkoncore e historike. “Fletët e Jetës , një monografi arsimore si “Histori Pedagogjike” ndër vite. Një hap, dhe inisiativë të tillë të mundimshme, që i ka kushtuar autorit Hoxha gjashtë vite hulumtim për gati 100 vite arsim në lagjen Rus dhe Shkodër, dhe ku ai ka arritur të japë një shembull tjetër , atë të studiuesit autodidakt , që ka mundur të sjellë në kujtesën e brezave punën e madhe të bërë nga brezat e mësuesve e nxënësve në Shkodër . Ky libër nga fillimi deri në fund përveç punës së organizuar shkencore ,përshkohet dhe nga dashuria për profesionin e mësuesit .
Dhe puna e tij hulumtuese nuk ndalet këtu. Pas këtij libri ai arriti të botojë një tjetër të ngjashëm por për shkollën e Parrucës , një tjetër lagje me tradita në arsim.Përveç këtyre, ai është i angazhuar në hartimin e një enciklopedie për arsimin në Shkodër, punë e cila është në hapat e para dhe ku janë të përfshira figura të njohura të arsimit e kulturës jo vetëm në Shkodër. Duket se ky aktivitet shkencor e krijues është një element më shumë për të plotësuar figurën e mësuesit Fiqiret Hoxha, figurë kjo që imponon respekt të veçantë dhe për një arsye tjetër .Në vitin 1992, ky mësues , do kryente një akt që jo vetëm nuk ka patur të tjerë të ngjashëm, por që i ka shkaktuar dhe dëmtime në shëndet.Ka qenë 20 shkurti i vitit 1992, ajo që do bënte që mësuesi Fiqiret Hoxha të njihej nga të gjithë, dhe pse më pas akti i tij jo i zakontë u la në heshtje.Më 20 shkurt të 1992 ai do bënte një veprim që i kalon përmasat e të zakonshmes, një akt trimërie e përgjegjshmërie për detyrën e mësuesit . U plagos vetë për të mbrojtur jetën e nxënësit që ndodhej në klasën ku po zhvillohej mësimi, dhe që ishte objekt i sulmit.Atë kohë ai punonte mësues i historisë dhe gjeografisë në shkollën 8 vjeçare” Ndre Mjeda “në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa ishte duke zhvilluar mësim në klasën e 8 , katër persona hapin derën e klasës dhe kërkojnë nxënësin Aldi Nikolli, pasi siç thonë ata kishin punë me të.Duke parë dhe reagimin e nxënësit që ishte zverdhur në fytyrë dhe duke parandjerë se kishte diçka që nuk shkonte, mësuesi Hoxha nuk pranon t’ua japë nxënësin dhe derën e klasës e mbyll me çelës. Por vetëm pas rreth 5 minutash dera e klasës hapet me forcë , personat e mëparshëm hynë në klasë dhe njëri prej tyre me thikë në dorë drejtohet tek banka ku ishte ulur nxënësi 14 vjeçar.Mësuesi Fiqiret Hoxha i del përpara nxënësit dhe zgjatduart për të penguar personin që kishte thikën në dorë. Aty mori goditje në trup, nga thika që i hyn 14 cm në trup që duke i dëmtuar mushkërinë, brinjën dhe një arterie të zemrës.Kolegët e dërgojnë në spital ku pasi qëndron 2 javë në spitalin e Shkodrës i cili në atë kohë kishte kushte të papërshtatshme, dërgohet në Tiranë dhe më pas dërgohet për mjekim në Gjenevë të Zvicrës.
Atje qëndron 2 muaj dhe ndonëse mjekët i japin raport mjekësor për të pushuar 1 vit, 4 muaj pas kthimit rifillon punën.Kishte shpëtuar jetën e nxënësit të tij që donin ta thernin brenda në klasë duke rrezikuar jetën e tij. Nxënësi ( që fatkeqësisht vdiq disa vite më vonë në Itali ku jetonte), shpëtoi , falë veprimit të mësuesit të tij, i cil dhe sot vuan problemet shëndetësore të shkaktuara nga ajo goditje me thikë. Më 3 mars të vitit 1992, për aktin e kryer, dekorohet nga Presidenti i vendit me medaljen e trimërisë civile. Ndërsa më 2005 , këshilli bashkiak i Shkodrës , e nderon me titullin “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” me motivacionin”për ndjenjën e lartë humanitare dhe aktin e lartë e të guximshëm në kryerjen e detyrës së mësuesit , në mbrojtjen e jetës së nxënësit duke derdhur gjakun e tij”
Fiqiret Hoxha prej vitesh ka punuar zëvendësdrejtor në shkollën 9 vjeçare” Skenderbej. Gjithnjë aktiv, në krye të punëve , model në mësimdhënie , ndonëse gjendja shëndetësore si pasojë e asaj ngjarjeje ka patur vazhdimisht probleme. Të gjithë ato që kanë punuar me të , e kujtojnë Fiqeretin për punën e palodhur që bën , për përgjegjshmërinë e sakrificën në shërbim të nxënësve, mësimdhënies e arsimit.Për qytetarët e Shkodrës dhe komunitetin e mësuesve , ai ka qenë n një shembull që nuk duhet harruar asnjëherë.Fiqeret Hoxha , me modestinë e fisnikërinë e tij , është nderuar nga njerëzit e thjeshtë dhe komuniteti i mësuesve që flasin me respekt për atë që ai ka bërë.
Ikja e tij në këtë kohë izolimi nga pandemia COVID-19 ka bërë që shumë qytetarë shkodranë të ndihen të kufizuar në pamundësinë për ti dhënë lamtumirën e fundit, ashtu si ai e meritonte.Të qoftë dheu i lehtë mësues Fiqo ! ANILA DUSH Gazeta “Pjacë”