Kryeministri Edi Rama në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania ka thënë se klubet e futbollit nuk do të marrin mbështetje ekonomike.

Kryeministri u shpreh se klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani fasone dhe japin paga të majme, prandaj nuk do përfshihen në skemën e financimit.

“Paketa nuk do të rishikohet, por do të zgjerohet. Është një paketë që në bazën e saj ka ato që janë më në nevojë dhe pastaj do të zgjerohet. Sa i përket klubeve të futbollit, unë mendoj që ato nuk kanë çfarë i kërkojnë fare qeverisë dhe arkës së shtetit për një sërë arsyesh, por këtu do të sjell atë më të thjeshtën fare. Klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani fasone dhe japin paga të majme. Klubet e futbollit le të shohin rreth e rrotull se çfarë bëjnë klubet në vende të tjera dhe të adoptohen me këtë luftë“ tregon Rama.

Kryeministri tha se kjo është një kohë ku duhet garantuar ekzistenca, ndaj klubet e sportit duhet të gjejnë mënyrën e tyre për të mbijetuar.

“Kjo nuk është koha për të ndihmuar futbollin, por koha për të ekzistuar. Klubet e futbollit duhet të garantojnë ekzistencën dhe jo fitimin e munguar. Meqë kanë deklaruar paga të rreme në masën më të madhe të tyre është mirë të mos bëhen pjesë e atyre që ankohen dhe që kërkojnë, pasi nuk ka pikë lezeti” tha Rama për klubet e sportit në Shqipëri.

Ka patur shpesh raportime, ku FSHF është akuzuar për shpërdorime fondesh dhe fshehje të të ardhurave.