Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, thotë se janë 6 mijë familje në nevojë të cilave u duhet dhënë mbështetje sociale, veçanërisht me ushqim, në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria me situatën e krijuar nga COVID-19.

Në një intervistë për Report Tv, Ademi tha se e quan një lajm të mirë faktin që qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi, si një masë kjo nga më kryesoret për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Por sipas saj, qeveria duhet të pranojë deh të flasë qartë dhe hapur me qytetarët, që Shqipëria nuk i ka kapacitetet për përballimin e këtij infeksioni nga sistemi shëndetësor. Njerëzit e marrin me të lehtë sepse nuk e kanë informacionin, tha Voltana Ademit, duke iu përgjigjur faktit që shkodranët nuk i respektuan masat kufizuese duke dalë në rrugë në grumbuj njerëzish pa respektuar rregullat për t’u mbrojtur nga infektimi.

Ne kemi menduar ti marrim masat më parë. Kemi vijuar që nga data 9 mars, duke dezinfektuar ambientet që janë mbyllur, që kur të kthehet jeta normale institucionet të jenë të pastra. Por dezinfektojmë përditë strukturat në gatishmëri, ambientet publike, për aq pak sa frekuentohen tashmë, ku është një lajm i mirë për qytetin tonë. Ka 3 ditë që po punojmë me grupet më në nevojë me strukturat e shërbimit social, për të ndihmuar komunitetet më vunerabël, jetimët, edhe me ndihma për familjet që kemi pasur sinjalizim që kanë nevojë, njerëz në pension, të vetmuar.

Shkodra ka nevojë për ndihmë ushqimore dhe ne kemi pasur rezervë se menaxhojmë vit pas viti emergjencat civile, por kjo nuk është e mjaftueshme dhe kemi vijuar identifikimin për lista të plota të të gjitha familjeve ekstremalisht në nevojë. Shkon rreth 6 mijë familje në total, njerëz me ndihmë ekonomike, apo të tjerë që nuk e marrin për shkak të sistemit të famshëm që nuk është funksional, të papunësuar, apo të tjerë që kanë ndaluar punën, punë ditore që bëjnë, dhe nuk kanë më mundësi të tjera. Jemi në kushtet e një emergjence civile, sepse komuniteti nuk po funksionon normalisht. Unë mendoj se një gjë e rëndësishme u mungon qytetarëve, informacioni. Të flasim pastër në kuptimin e kapaciteteve që ne kemi. Shqipëria nuk ka kapacitete për të përballuar një situatë të një emergjence shëndetësore, dhe duhet ta themi, nuk është rasti për t’u fshehur.

E vetmja që mund të bëjmë, të detyrueshme, është pezullimi i cdo lloj dalje në një ambient publik apo të shoqëruar. Duke ia thënë këtë qytetetarëve, pranojmë që kaq është kapaciteti jonë. Kjo duhet thënë qartë. Do duhet ta bëjmë të gjithë bashkë luftën ndaj kësaj emergjence shëndetësore. Flitet për raste të infektuara, por nuk flitet për raste të testuara. Ne duhet të reduktojmë edhe më shumë se të gjitha vendet e tjera lëvizjet, se nuk kemi mundësi për tu testuar, tha  Ademi, duke theksuar edhe një herë se qytetarëve u duhej thënë qartë që duhet të qëndrojnë në shtëpi pasi nuk ka asnjë mundësi që agravimi i situatës të përballohet na strukturat spitalore.

Sipas Ademit, qeveria duhej të kishte shpallur gjendjen e emergjencës për të alokuar fondet për përballimin e situatës. Qeveria duhet të ishte mbledhur për ndryshimin e buxhetit, për përballimin e situatës me ushqime, me strukturat në vijë të parë, dhe me ata që kanë më shumë nevojë, se po fillojmë ta ndjejmë krizën. Nuk mund ti lihet kjo bashkive, vetëm, tha Ademi, teksa shtoi se do t’i paraqesë qeverisë sa duhet të jetë fatura financiare që duhet të parashikohet për Shkodrën, për biznesin dhe për ndihmë të familjeve në nevojë, pa marrë parasysh pjesën shëndetësore që duhej të ishte menduar më parë.